Nderohet me mirënjohje Stane Gashi

  • 27 August 2025 - 09:47
Nderohet me mirënjohje Stane Gashi

Dioqeza Prizren-Prishtinë ka nderuar me mirënjohje Stane Gashin, e cila ndryshe njihet edhe si “nëna e UÇK-së”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Asaj iu nda mirënjohje në mbrëmjen solemne kulturore me rastin e përvjetorit të 115-të të lindjes së Nënë Terezës dhe 20-vjetorin e bekimit të gur themelit të Katedrales “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Ndue Gashi dhe heroina e gruaja e tij Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, tri vajza e tetë djem. Tre prej djemve luftuan me armë në dorë nën uniformën e UÇK-së, ndërsa pjesa tjetër e familjes gjatë viteve 1998- 1999, në shtëpinë e tyre pritën mbi 300 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare.

Shtëpinë në fshatin Brus të Lipjanit familja Gashi e kishte kthyer në bazë të UÇK-së, armë, municion, fjetje, ushqim e pritje të ngrohtë aty gjetën shumë dëshmorë e udhëheqës të luftës së lavdishme për liri.

Ndue Gashi ka vdekur, por në krye të sofrës dhe konakut qëndron Nëna Stane, Nëna e UÇK-së.

Përndryshe, koncerti artistik i cili është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, shënon zyrtarisht fillimin e ”DITËVE TË NËNË TEREZËS” 2025.

(Kosova Sot Online)