
Kuvendi sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo, pasi përpjekja e 58-të për konstitutim të Kuvendit rezultoi pjesërisht e suksesshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Megjithatë, procesi është bllokuar te votimi për nënkryetarin serb. Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.
Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme. Votat nuk i ka siguruar as Nenad Rashiq, kryetar i partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër.
E pasi që konstituimi i Kuvendit mbeti peng i zgjedhjes së një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese e kanë shtruar nevojën që partitë shqiptare ta votojnë një kandidat me synim të përmbylljes së procesit.
Deputetët mund ta konsumojnë edhe një shkelje tjetër kushtetuese po qe se nuk e zgjedhin një nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, kanë vlerësuar njohës të çështjeve juridike e kushtetuese.
Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së këtij nënkryetari, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.
(Kosova Sot Online)