
Basha, ka zhvilluar sot një takim konsultativ me Osmanin

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot një takim konsultativ dhe njoftues me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë takimit, sipas komunikatës së Kuvendi të Kosovës, Basha thuhet se e informoi Presidenten Osmani mbi ecurinë e seancës dhe konstituimin e Kuvendit, si dhe diskutuan për hapat e mëtejshëm institucionalë që duhet të ndërmerren për formimin e Qeverisë së re.
“Palët theksuan nevojën që proceset kushtetuese dhe ligjore të vijojnë me dinamikë të paraparë kohore, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i shpejtë dhe efikas”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, sipas komunikatës, u theksua rëndësia e funksionalitetit të institucioneve dhe ruajtja e stabilitetit politik, sidomos përballë sfidave të brendshme dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Udhëheqësit institucionalë ritheksuan pritjet e qytetarëve për efikasitet dhe përgjegjësi në qeverisje.
“Kryetari Basha konfirmoi përkushtimin që Kuvendi do të ushtrojë plotësisht rolin e tij kushtetues dhe do të funksionojë me përgjegjësi të lartë, ndërsa Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
(Kosova Sot Online)