Kos: Përgatitja e Unionit tonë për anëtarët e rinj

  • A.P /
  • 02 September 2025 - 11:00
Kos: Përgatitja e Unionit tonë për anëtarët e rinj

Ministrat për Çështje Europiane nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe kolegët e tyre nga Ukraina, Moldavia, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia do të mblidhen për një takim informal ministror në Kopenhagë më 1-2 shtator, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këtë takim e ka organizuar Ministria e Jashtme e Danimarkës e cila aktualisht është duke udhëhequr Presidencën e Këshillit Europian.

Sesionet e punës do të zhvillohen në Forumin në Frederiksberg. Sesioni i parë i punës do të trajtojë rëndësinë e Kritereve të Kopenhagenës për zgjerimin e BE-së dhe do të ketë pjesëmarrje nga Ukraina, Moldavia, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, ka njoftuar Presidenca daneze.

Gjatë sesionit të dytë të punës, ministrat nga shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë forcimin e mjeteve të BE-së për Sundimin e Ligjit.

Takimi do të përfundojë me një drekë pune mbi përgatitjet e BE-së për zgjerim, duke përfshirë edhe reformat e brendshme.

Për këtë ngjarje ka folur edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila tregoi pikat kryesore të diskutimit të takimit.

“Në Kopenhagë sot për të diskutuar zgjerimin e BE-së me ministrat e Europës:

Ankorimi i respektimit të sundimit të ligjit

Sjellja e përfitimeve të hershme për vendet kandidate

Përgatitja e Unionit tonë për anëtarët e rinj

Komunikimi i përfitimeve të zgjerimit për qytetarët tanë”, ka shkruar Kos në X.

(Kosova Sot Online)