
Prokuroria ngre aktakuzë ndaj KEDS dhe tre punëtorëve të saj për vdekjen e një punëtori

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër KEDS dhe tre punëtorëve të saj për vdekjen e një punëtori nga rryma, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, kundër personit juridik “Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike” SH.A, dhe ndaj të pandehurve A.Z, G.N dhe A.N, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga Kodi Penale i Republikës së Kosovës.”
Sipas aktakuzës “me datë 4 shkurt të vitit 2023, në fshatin Levoshë të komunës se Pejës, i pandehuri si person juridik “Kompani Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike SH.A”, në cilësinë e përgjegjësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore, ka rrezikuar jetën e njerëzve në atë mënyrë, që i pandehuri në cilësi të pronarit të personit juridik edhe pse ka qenë i detyruar të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, konkretisht në sigurimin e kushteve të sigurta për punë, nuk ka krijuar kushte të sigurta dhe të shëndetshme të punës për parandalimin e rreziqeve, nën rrjetin largpërçuesve-sipërfaqes mbi të cilën shtrihet rrjeti për të krijuar siguri gjatë ndërhyrjes në linje dhe nuk ka zbatuar organizimin e procesit të punës tek kyçja e rrymës në rrjetë nga ekipi i ndërhyrjes pa i respektuar procedurat në fuqi të parapara me vlerësim të riskut, ashtu që, ditën kritike deri sa i dëmtuari tashmë i ndjeri V.P, punëtor mirëmbajtës i rrjetit gjatë procesit të punës, duke punuar për t’i eliminuar defektet ne rrjetin elektrik “Dalja 10 KV-Maja e Zezë në Pejë” në një moment si pasojë e kushteve të rrezikshme në vendin e punës vije deri tek kontakti me rrymën dhe si pasojë vdes në vendin e ngjarjes.
“Kurse, i pandehuri A.Z, në cilësinë e udhëheqësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore dhe në cilësi të përgjegjësit për komunikim me dispeçerin në Qendrën Komunikuese në Pejë, derisa viktima pjesë e ekipit me të pandehurin dhe punëtorin I.Sh ishte duke e kontrolluar rrjetin e energjisë elektrike , i pandehuri, pa u siguruar se viktima nuk ishte në kontakt me rrjetin elektrik, përmes numrit të tij të telefonit, kontakton Qendrën Komunikuese në Pejë, duke i kërkuar që në linjën e lartcekur të lëshohet rryma, dhe në bazë të kërkesës së tij, nga baza lëshohet rryma, ku si pasojë e kësaj viktima V.P, vije deri tek kontakti me rrymën dhe si pasoj vdes në vendin e ngjarje. Ndërsa i pandehuri, A.N në cilësinë e koordinatorit të rrjetit (udhëheqës në detyrë) përgjegjës për sigurinë në vendin e punës, bashkë me të pandehuri G.N, cilësinë e ekspert të sigurisë dhe shëndetit ne punë, nga pakujdesia, edhe pse kanë qenë të detyruar të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, duke mos i respektuar rregullat e lartcekura kanë vënë në rrezik jetë e punëtorëve të KEDS-it, ku si pasojë ka humbur jetën viktima V.P, punëtor i kësaj kompanie.”
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.”
(Kosova Sot Online)