
Prokuroria e Prishtinës ngre aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rremë, shpëlarje parash dhe keqpërdorim të kartelave bankare apo të kreditit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Prokuroria ka bërë të ditur se të akuzuar janë tre shtetas të Republikës së Turqisë dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se “kjo aktakuzë është ngritur ndaj A.S., A.S., S.O., shtetas të Republikës së Turqisë, si dhe S.E., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak se nga data 11 nëntor 2024 deri më datën 20 shkurt 2025, në intervale të ndryshme kohore, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke qenë në dijeni për transaksione të dyshimta kanë regjistruar fillimisht biznese në të njëjtën kohë në ARBK dhe kanë krijuar llogari të këtyre bizneseve dhe llogari individuale në banka të Republikës së Kosovës dhe përmes POS-terminaleve të këtyre bankave kane keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare, duke klonuar kartele bankare të shtetasve të Danimarkës dhe shtetasve të tjerë të shteteve të ndryshme dhe më pas kanë bërë transaksione në llogaritë e tyre personale dhe për vete kanë realizuar dobi të kundërligjshme pasurore në vlerë prej 372, 900. 42 euro, veprime këto, me të cilat kanë kryer veprën penale ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’, nga neni 301 i KPRK-së”.
“Po ashtu, të njëjtit, në interval kohor të njëjtë, të cekur sikurse në pikën I të dispozitivit, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, fshehjes se burimit, vendit, të pandehurit, pas transferimit të parave në llogaritë e bizneseve të tyre dhe llogaritë individuale, i kanë tërhequr kesh nga ATM-të e bankave, si dhe kanë bërë transferime jashtë Kosovës, përkatësisht në Republikën e Turqisë, me qëllim të shmangies nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, ku shuma e shpëlarjes së parave në bazë të ekspertizës financiare arrin vlerën prej 372, 900. 42 eurosh, me të cilat kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.6 të Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Të pandehurit, sipas Prokurorisë, gjenden në masën e paraburgimit, si dhe prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ka propozuar që masa e paraburgimit ndaj të njëjtëve të vazhdohet.
(Kosova Sot Online)