
Kina paralajmëron SHBA-në dhe Britaninë

Kina ka reaguar me ashpërsi ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi anijet luftarake të këtyre dy vendeve kaluan nëpër Ngushticën e Tajvanit të premten, një zonë e ndjeshme dhe e tensionuar në aspektin diplomatik dhe ushtarak, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas njoftimit të Komandës së Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), forcat detare dhe ajrore kineze janë urdhëruar të monitorojnë dhe paralajmërojnë anijet britanike dhe amerikane – konkretisht “HMS Richmond” dhe “USS Higgins” – gjatë kalimit të tyre përmes ngushticës 180 kilometra të gjatë që ndan Tajvanin nga Kina kontinentale.
“Veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë dërgojnë sinjale të gabuara dhe minojnë paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ngushticën e Tajvanit”, thuhet në deklaratën e PLA-së, e cila i cilësoi këto veprime si “shkaktim problemesh dhe provokime”.
Në kundërpërgjigje, Ministria britanike e Mbrojtjes e përshkroi kalimin si një tranzit rutinë, duke theksuar se: “Kudo që vepron Marina Mbretërore, ajo e bën këtë në përputhje të plotë me ligjin dhe normat ndërkombëtare dhe ushtron të drejtat e lirisë së lundrimit në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit”.
Po ashtu, edhe Komanda Indo-Paqësore e SHBA-së e cilësoi lëvizjen e anijes së saj si pjesë e një operacioni të zakonshëm detar: “Të drejtat dhe liritë e lundrimit në Ngushticën e Tajvanit nuk duhet të kufizohen”, thuhet në deklaratën e SHBA-së, ku theksohet se ngushtica është “përtej detit territorial të çdo shteti bregdetar”.
(Kosova Sot Online)