
Trenat dalin nga shinat në Rusi

Tre oficerë të Gardës Kombëtare Ruse janë vrarë dhe një makinist treni ka humbur jetën pas sulmeve të dyshuara sabotuese në rrjetin hekurudhor të Rusisë, ngjarje që kanë ndodhur gjatë fundjavës në disa rajone të vendit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas autoriteteve ruse, një pajisje shpërthyese ka shpërthyer të shtunën në mbrëmje në rajonin Oryol në perëndim të Rusisë, duke shkaktuar daljen nga shinat të një treni dhe vdekjen e tre oficerëve të Gardës Kombëtare.
Ndërsa të dielën në mëngjes, dy trena të tjerë dolën nga shinat në rajonin Leningrad, duke shkaktuar vdekjen e një makinisti dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor, tha guvernatori i rajonit, Alexander Drozdenko në telegram.
Një burim nga inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka marrë përgjegjësinë për dy nga këto sulme, por jo për incidentin në Leningrad që shkaktoi vdekjen e makinistit.
Kievi nuk e ka komentuar zyrtarisht incidentin, por në të kaluarën ka përshëndetur veprime të tilla, duke theksuar se Rusia po e përdor rrjetin e saj hekurudhor për qëllime ushtarake, përfshirë transportin e trupave dhe furnizimeve në frontin e luftës në Ukrainë.
Një video e paverifikuar e publikuar në rrjetet sociale duket se tregon një vagon të përmbysur disa metra larg shinat, me pjesën e poshtme të dëmtuar rëndë nga shpërthimi.
Muajin e kaluar, Ukraina raportoi një tjetër aksion sabotimi në një stacion hekurudhor në Tver, ku u vendosën eksplozivë nën rezervuarët e karburantit.
(Kosova Sot Online)