Tjetër dosje kundër Erion Veliajt në SPAK: Prishja e ndërtimeve

  • A.P /
  • 02 October 2025 - 14:30
Tjetër dosje kundër Erion Veliajt në SPAK: Prishja e ndërtimeve

Shembja e shtëpive private nga bashkia e Tiranës, në vitin 2022 në zonën e “5 Majit” ka kaluar në SPAK dhe përbën një dosje tjetër të nxehtë kundër Erjon Veliajt, Mariglen Qatos dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj bashkie. Gjykata e Apelit njoftoi se e ka kaluar çështjen në SPAK për shkak se pjesë e saj është edhe ish-kryebashkiaku Erion Veliaj.

Çështja kishte marrë spunto nga një kallëzim penal të depozituar në SPAK, në fillim të vitit 2022 nga Ledion Mziu, një banor i lagjes “5 Maji” që bashkia i prishi shtëpinë ku jetonte me familjen.
Denoncuesi, akuzonte drejtpërdrejt Erjon Veliaj, Mariglen Qaton, Arben Caka dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë së kryeqytetit për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkatërrimin e pronës”, “Heqje e paligjshme e lirisë” etj.

Pas një verifikimi 15 ditor të kryer, SPAK këtë material ia ka dërguar për kompetencë prokurorisë së Tiranës me arsyetimin se:
“…ndonëse kallëzuesi ka kallëzuar Kryetarin e Bashkisë Tiranë, vendimmarrja për prishjen e objekteve dhe më pas ekzekutimi i tyre është në kompetencë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, dhe Kryeinspektori dhe Inspektorët e këtij Inspektorati nuk përfshihen në rrethin e subjekteve të posaçëm që parashikon neni75/a K. Penal…”.

Çështja më pas është hetuar për disa muaj nga prokuroria e Tiranës, e cila ka vendosur të pushojë dosjen kundër Veliaj, Mariglen Qatos e personave të tjerë.

Kërkesa për pushim u dorëzua në gjykatën e Tiranës, në të cilën avokatët mbrojtës kanë ngritur pretendimin se kjo gjykatë nuk është kompetente për të marrë në shqyrtim dosjen penale, pasi njëri nga personat që është kallëzuar dhe hetuar ishte dhe Erjon Veliaj.

Por Gjykata e Tiranës, nuk ka pranuar këto pretendime duke vijuar shyrtimin e kërkesës për pushim të sjellë nga prokuroria dhe në fund të gjykimit të kësaj kërkese vendosi pezullimin e gjykimit, me argumentin se kallëzuesi ka hapur dhe një proces Civil në Gjykatën Administrative.

Por ky vendim i 27 Marsit 2024 është ankimuar nga kallëzuesi Mziu në Gjykatën e Apelit Tiranë, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit të pezullimit dhe kthimin e dosjes kundër Erjon Veliaj e të tjerëve, për hetime të mëtejshme në prokurorinë e posaçme SPAK.

Në 19 Maj 2025, gjyqtari i Apelit Fatri Islamaj ka pranuar kërkesën duke prishur vendimin e mësipërm dhe vendosur që dosja ndaj zyrtarëve të bashkisë Tiranë, të hetohet nga prokuroria e posaçme.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit Tiranë:

“…gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nuk ishte kompetente nga pikëpamja lëndore për gjykimin e kërkesës së prokurorisë për pushimin e kësaj çështje. Në kallëzimin penal ndër të tjerë është kallëzuar edhe Erion Veliaj me detyrë Kryetar i Bashkisë Tiranë, i cili bën pjesë në rrethin e subjekteve të posaçëm, akuzat ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në rastin konkret kompetenca lidhur me hetimin e kallëzimit penal ndaj Erion Veliaj, i përkiste Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak se ky organ është kompetent për të gjitha akuzat ndaj subjekteve të posaçme…”.

Në dosjen hetimore thuhet se kallëzuesi Ledion Mziu në 19 janar 2022, rreth orës 10:30 ka qenë në shtëpinë e tij së bashku me familjarët.

Ndërkohë që ka dalë në ballkon, ka parë shumë punonjës të policisë së shtetit, policisë bashkiake, të forcave Shqiponja, FNSH-së si dhe punonjës të IMT-së Bashkia Tiranë.

Këta punonjës i kanë kërkuar babait të tij të dilte jashtë si dhe të vinte në dispozicion dokumentet e pronësisë, të cilat babai i tij ua ka vënë në dispozicion.

Pas 10 minutash ka ardhur një furgon policie dhe babain e tij e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr. 4. Ka shpjeguar se ka dalë nga banesa dhe ka biseduar me një punonjës policie, i prezantuar si shefi i Komisariatit nr. 4 shtetasi, Petrit Halo.

Ky i fundit i ka thënë se duhet të dilni nga banesa sepse kishin një vendim prishje për shembjen e banesës dhe ka thirrur Kryeinspektorin e IMT-së Bashkia Tiranë, Mariglen Qato.

Qato, i ka thënë se nuk kishte vendim për shembjen e banesës, por që ishin njoftuar me anë të shkresës Njoftim nr. 18 prot., datë 12 janar 2022, për të cilën kallëzuesi ka qenë nën dijeni dhe që shkresa përbënte vetëm një njoftim për bashkëpunim për lirimin në mënyrë vullnetare të banesës.

Kallëzuesi i ka shpjeguar Mariglen Qatos se i kishte bërë me dije se ishte në proces gjyqësor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe se iu ka kërkuar nëse kishin një marrëveshje midis tij dhe Bashkisë Tiranë për shembjen e banesës, ose një vendim të Këshillit Bashkiak.

Pas përgjigjeve të Mariglen Qatos, i ka kërkuar shefit të Komisariatit të merrte masa parandaluese, pasi Mariglen Qato po shpërdoronte detyrën dhe menjëherë pas kësaj kërkese, Mariglen Qato i është drejtuar shefit të Komisariatit që të rrethonte banesën e tij dhe të nxirrte banorët e tjerë jashtë banesës.
Pavarësisht se e vuri në dijeni shefit e Komisariatit se kishte kërkuar mbrojtje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shteti me anë të e-mailit në datë 15 dhjetor 2021, forca të shumta policie rrethuan banesën e tij dhe disa punonjës të IMT-së shpërthyen portën kryesore.

Ka shpjeguar se ndërkohë është ngjitur në tarracën e shtëpisë së tij për të filmuar veprimet që po kryenin punonjësit e policisë dhe IMT-së dhe në formë proteste është vetë-prangosur në njërën dorë.
Më tej ai ka treguar se ka bërë ankesë te SHÇBA-ja në adresën zyrare të e-mailit për paligjshmërinë e veprimeve të kryera nga punonjësit e policisë së shtetit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Gjithashtu denoncuesi ka shpjeguar se Bashkia Tiranë, ka lejuar krijimin e një vendgrumbullimi të ri mbetjesh në lagje dhe nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e ndotjes së ambientit.

(Kosova Sot Online)