
Veliaj i kërkon Gjykatës lirimin

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të enjte rekursin e bërë nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt, që kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas burimeve në dokumentet e dorëzuar, nënvizohet se Veliaj kërkon zbutje të masës së sigurisë, pasi sipas tij nuk ka asnjë mundësi që të prishë provat, pasi SPAK i ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë.
Këtyre dokumenteve i është shtuar edhe një memo, ku avokatët e Erion Veliajt i bëjnë me dije Gjykatës së Lartë se klienti i tyre nuk është më as kryebashkiak i Tiranës, pas shkarkimit nga kryeministri Edi Rama.
Duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, avokatët i kërkojnë Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë faktin se në këto kushte ai nuk mund të ndikojë dhe vendosë në rrezik asnjë provë, pasi tani nuk është më kryetar.
Kjo memo shkon kundër argumentit të Prokurorisë së Posaçme, që kërkon vijimin e arrestit me burg për Veliaj, duke pretenduar se ai ka qenë zyrtar i lartë dhe për këtë arsye ka mundësi që të intimidojë dëshmitarët e çështjes.
(Kosova Sot Online)