Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

  • A.P /
  • 07 October 2025 - 11:14
Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në vendimet e ndara, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e DhSK-së.

Sipas vendimeve të marra më 3 tetor 2025, për katër të akuzuarit është konstatuar se ka rrezik qe ata t’i ikin drejtësisë, të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.

Kur jemi tek rreziku i pengimit të procedurave, duke u fokusuar tek Thaçi, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ai pretendohet se ka qenë si pjesë udhëheqëse e tri grupeve me të cilat ka bashkërenduar për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi).

“…veprimet e tij tregojnë këmbëngulje në përpjekjet për pengimin e procedurave të DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë duke shfrytëzuar ndikimin e tij mbi ish-anëtarë të UÇK-së besnikë ndaj tij dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit e tij në këtë rast; (iv) gjetjet e mëparshme sugjerojnë se, në të kaluarën, z. Thaçi ka tentuar të minojë DhSK-në dhe, përmes rretheve të tij, ka ofruar përfitime për persona të cilët janë thirrur nga ZPS për të dhënë informacion; (v) z. Thaçi është në dijeni për akuzat dhe provat ndaj tij; dhe (vi) ndërgjegjësimi i tij i shtuar për provat inkriminuese kundër tij i ofron atij një shtysë për të ndërhyrë tek dëshmitarët ose për të penguar përparimin e procedurave”, thuhet në vendimin ndaj Hashim Thaçit.

Po ashtu, për Thaçin thuhet se ndonëse rasti i Prokurorisë në gjykimin për krime lufte ka përfunduar, kjo nuk e shuan rrezikun e pengimit të procedurave. Përveç tyre, rreziku i pengimit të procedurave sipas gjyqtares ndërlidhet edhe me rastin aktual.

Ngjashëm sikur për Thaçin, edhe për tre të akuzuarit e tjerë është thënë se asnjë masë alternative nuk i zbut rreziqet ekzistuese.

Në vendim thuhet se dorëzania e ofruar nga Kilaj në shumën prej 40 mijë euro, e cila është ofruar edhe në shqyrtimet tjera periodike të paraburgimit, është refuzuar. Kjo, thuhet se ka ndodhur me arsyetimin se mbrojtja nuk ka arritur që të shpjegojë se si një propozim i tillë e zbut ose eliminon rrezikun e arratisjes.

Po ashtu, argumenti i mbrojtjes se Kilaj nuk do e rrezikonte largimin nga familja e të arratiset, sipas gjyqtares së procedurës paraprake, është spekulativ.

Në anën tjetër, mbrojtja e Hajredin Kuçit përmes avokatit Alexander Admiraal, ka bërë të ditur se në fillim të vitit 2026 janë të gatshëm për gjykim në këtë çështje.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

(Kosova Sot Online)