
KQZ përmbyll numërimin e votave nga jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur fazën e numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa po vazhdon me rinumërime të urdhëruara nga PZAP-i dhe me numërimin votave me kusht dhe të atyre të votuesve me nevoja të veçanta, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës është përmbyllur të hënën rreth mesnatës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas KQZ-së, të martën në mëngjes, në QNR ka filluar rinumërimi i 5 vendvotimeve, në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Këto vendvotime ndodhen në komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01), dhe Podujevë (1807/02).
Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta është mundësuar votimi jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile.
Sipas KQZ-së, procesi do të nisë me komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listës së votuesve.
Në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime, që i përkasin të dyja llojeve të zgjedhjeve – për kryetarë komunash dhe për kuvendet komunale. Ndërkohë, më shumë se 3,467 votues me nevoja të veçanta ishin të regjistruar për të votuar përmes ekipeve mobile.
Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, KQZ do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhejve të 12 tetorit.
(Kosova Sot Online)