Murati akuzon LDK-në për bllokadë derisa Hykmetja e quan ministër të propagandës
Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti Hekuran Murati, ka vazhduar të akuzojë Lidhjen Demokratike të Kosovës se po e bllokon miratimin e buxhetit për tri komuna, përfshirë Prishtinën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas tij, tashmë Kuvendi është konstituar, derisa LDK që ankohej, s’po pranon të miratojë buxhetin.
“Çka mund t’i thuhet këtij veprimi të LDK-së? Kush qenka bllokuesi i buxhetit?”, ka shkruar Murati.
Shefja e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar dhe e ka quajtur Muratin si minisër i propagandës së Albin Kurtit, duke ka akuzuar Muratin se e ka bllokuar buxhetin e Prishtinës për 46 ditë.
Bajrami ka publikuar një dokument, që tregon se Komuna e Prishtinës ia kishte dërguar Muratit miratimin e Buxhetit me datë 17 dhjetor, derisa Murati e ka përcjellë tek Kuvendi vetëm pas një muaj e gjysmë, më 31 janar 2025.
Bajrami ka shkruar se Konjufca si kryetar Kuvendi ka mundur të thërras një seancë për ta miratuar Buxhetin, por një gjë e tillë s’ka ndodhur, meqë ai i është dorëzuar nga Murati në kulmin e fushatës.
Postimi i plotë:
ME FAKTE:
Hekuran Murati 46 ditë e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim për Kuvend.
Ministri propagandës i Albin Kurtit duke parë që humbjen në Prishtinë e kanë të paevitueshme që disa ditë po nxjerrë lot krokodili për buxhetin e komunës së Prishtinës dhe pagat e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.
Të nderuar qytetarë, populli thotë “Zoti nuk rrëhet”
Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka kaluar buxhetin e Prishtinës me datë 9.12.2024.
Komuna e Prishtinës e ka përcjellë buxhetin në Ministrinë e Financave me datë 17.12.2024, shih shkresën e protokollit.
Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës plotë 46 ditë në sirtar dhe a e dini kur e ka përcjellë në Kuvend të Kosovës, e ka përcjellë me 31.01.2025, shiheni shkresën që ai ka postuar vetë.
Dmth. Hekurani buxhetin e Prishtinës e ka përcjellë në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore me 31 janar dhe normalisht Glauk Konjufca si kryetar as që është marrë me këtë punë, sepse ai është dashur të thërrasë mbledhje të Kryesisë, e të caktojë seancë dhe ta kalojmë buxhetin e komunës së Prishtinës para një viti, por jo këto nuk kanë ndodhur. Tani akuzat e propaganduesit janë se LDK-ja po e bllokon kuvendin dhe s’po e kalon buxhetin e komunës së Prishtinës.
E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare?
E qysh formohen komisionet parlamentare pa u ditur se kush është pozita dhe kush është opozita?
Tregoju qytetarëve pse e ke mbajtur në sirtar buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë dhe nuk e ke sjellë në Kuvend atëherë kur Kuvendi ka qenë funksional dhe i ka pasur krejt trupat funksional.
Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.
Mjaft, propagandove!
Liroje buxhetin e RTK-së, siç e bëre para tre muajve ose siç është vepruar më 2021, sepse derisa ti po mashtron në fcb. disa familje bukën në market janë t’u e marrë veresi.
(Kosova Sot Online)
