Paralajmërohen reshje bore dhe rënie e temperaturave

  • A.P /
  • 26 November 2025 - 08:45
Paralajmërohen reshje bore dhe rënie e temperaturave

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se e mërkura do të karakterizohet nga ndikimi i fushave të presionit në rënie, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave të dendura në gjithë vendin. Parashihet mot kryesisht i vranët, me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

IHMK bën të ditur se temperaturat pritet të jenë të qëndrueshme, me minimale nga -1°C deri në 7°C dhe maksimale që do të arrijnë deri në 11°C, duke shënuar vlerat më të larta termike të javës.

“Të mërkurën priten vlerat më të larta termike të javës, ndërsa ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se nga e enjtja deri të shtunën, parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje.

“Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore”, vijon njoftimi.

Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtëra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së së enjtes dhe të premtes, varësisht intensitetit të masës së ftohtë dhe profilit termik të shtresës së ulët të atmosferës.


(Kosova Sot Online)