Berisha: CDI denoncoi narkodiktaturën e Ramës!
Në Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve të opozitës të mbajtur para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, përcolli mesazhet kryesore nga punimet tre-ditore të Asamblesë së Përgjithshme të Internacionales Demokratike Qendrore (CDI).
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se çështjet ndërkombëtare të trajtuara në këtë forum, me Ukrainën në qendër të diskutimeve, dënimin e agresionit rus dhe situatën politike në Venezuelë, u shoqëruan me një vëmendje të posaçme ndaj Shqipërisë.
Ai deklaroi se ‘narkodiktatura e Edi Ramës’, siç e cilësoi ai, u denoncua hapur nga drejtues të lartë të CDI dhe PPE, duke e konsideruar këtë një inkurajim të fuqishëm për opozitën shqiptare që të vazhdojë betejën politike.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Miq, 3 ditë në punimet e asamblesë së përgjithshme, mund t’u them se çështjet më kryesore në ato punime ishin natyrisht Ukraina e para, dhe iu shpreh solidariteti i plotë kombit ukrainas në betejën e tij për dinjitet dhe sovranitet kombëtar.
U dënua me forcën më të madhe agresioni rus, pushtimi i Ukrainës, krimet e shëmtuara të njerëzimit.
Në axhendën e punimeve ishte Venezuela e Maduros, në të cilën diktatori i Venezuelës, njëlloj si Ramaduro i Tiranës, vidhte në çdo zgjedhje, pavarësisht se nuk merrte votat.
Por, në axhendën e punimeve të asamblesë së përgjithshme të CDI, një vend qendror zinte Shqipëria, narkodiktatura e Edi Ramës, të cilën e denoncuan dhe e dënuan duke filluar nga presidenti i CDI, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, sekretarja e përgjithshme e PPE dhe një seri oratorësh të tjerë.
Droga e Edi Ramës ka marrë dhenë.
Edi Rama krahasohet sot me narkodiktatorët më të urryer të planetit.
Miqtë e mi, këto mesazhe janë një thirrje, janë një inkurajim i madh për ne të vazhdojmë këtë betejë me të gjithë guximin tonë, me të gjithë fuqitë tona.
Sonte para nesh folën disa të rinj dhe unë i përgëzoj për fjalën e shkëlqyer që mbajtën.
Kristi kishte ditëlindjen dhe atij ia uroj 120 vite të lumtura.
Por atyre, dhe çdo të riu shqiptar, u rikujtoj se historia, se koha, thërret secilin prej tyre të jetë në këmbë për të shpëtuar vendin nga kjo katastrofë e vërtetë në të cilën rrokulliset.
(Kosova Sot Online)
