Rutte: Kemi kërkuar llogaridhënie nga Serbia për rastet në Banjskë e Zveçan

  • A.P /
  • 05 December 2025 - 13:05
Rutte: Kemi kërkuar llogaridhënie nga Serbia për rastet në Banjskë e Zveçan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se organizata vazhdimisht kërkon nga Serbia që t’i sjellë para drejtësisë kryesit e sulmeve terroriste në Banjskë dhe të sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, sulme të ndodhura në vitin 2023, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Për dy vjet, vazhdimisht kemi bërë thirrje për llogaridhënie për kryesit e sulmeve në të dy rastet, në Zveçan dhe Banjskë më 2023, që të sillen para drejtësisë. Paraardhësi im ka punuar në këtë me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. E kam bërë edhe vetë unë. Më ka thënë se do të punojë në këtë dhe do ta kryejë këtë punë”, tha Rutte.

Ai shtoi: “Ne vërtetë llogarisim në autoritetet e Serbisë që ta kryejnë pjesën e tyre të punës në këtë aspekt”.

Për sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Rutte tha se NATO-ja është e përfshirë në mënyrë indirekte përmes KFOR-it.

“Tentojmë të jemi sa më të dobishëm që të jetë e mundur në këtë çështje”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s të martën në Bruksel.

Kujtojmë se në shtator të vitit 2023 grupi terrorist nga Serbia kreu sulm në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Udhëheqës i këtij grupi ishte ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ndaj 45 pjesëtarëve të këtij grupi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë.

Ndërsa, tre pjesëtarët e këtij grupi të kapur gjatë aksionin nga Policia e Kosovës janë duke u gjykuar.

Kosova ka kërkuar që Radoiçiq dhe pjesëtarët tjerë të dorëzohen nga Serbia.

(Kosova Sot Online)