Zelensky e dënon sulmin vdekjeprurës rus me dron

  • A.P /
  • 28 January 2026 - 08:30
Zelensky e dënon sulmin vdekjeprurës rus me dron

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka dënuar dhe e ka cilësuar si “terrorizëm” sulmin rus me dron ndaj një treni udhëtarësh, ku zyrtarët thonë se u vranë të paktën katër njerëz.

Zelensky tha se katër persona të tjerë ishin zhdukur, pasi treni me më shumë se 200 njerëz u godit të martën në rajonin verilindor ukrainas, Kharkiv, raporton televizioni BBC.

Më herët, zyrtarët në portin jugor ukrainas të Odesës thanë se tre njerëz u vranë nga një sulm rus me dron gjatë natës.

Rusia nuk ka komentuar. Forcat ruse muajve të fundit i kanë shpeshtuar sulmet me dronë e raketa kundër infrastrukturës energjetike dhe transportit në Ukrainë, përderisa vendi po ballafaqohet me njërin nga dimrat më të ashpër në disa vjet.

Miliona njerëz në mbarë Ukrainën kanë mbetur pa furnizim me rrymë, ngrohje dhe ujë pas sulmeve ruse.

Duke shkruar në rrjete sociale të martën vonë, Zelensky u shpreh: “Në cilindo shtet, një sulm me dron kundër një treni civil do të konsiderohej saktësisht në mënyrën e njëjtë – në mënyrë të pastër si terrorizëm.”

Ai tha se nuk ka “justifikim ushtarak” për shënjestrimin e civilëve, duke shtuar se në vagonin që u godit ndodheshin 18 njerëz.


(Kosova Sot Online)