SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut

  • A.P /
  • 28 January 2026 - 11:00
SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur ta shtyjë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e cila ishte parashikuar sot për në orën 12:00 për të diskutuar për mandatin e Belinda Ballukut.

Mësohet se deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin ose jo të saj nga detyra me vendim të GJKKO.

Kryeministri shqiptar Edi Rama kërkoi rrëzimin e pezullimit të Ballukut nga GJKKO, ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim.

Anëtarët e Kushtetueses u mblodhën diten e djeshme vetëm pak minuta për të diskutuar lidhur me këtë çështje, por nuk dolën me një vendim. Disa nga anëtarët kanë pretenduar se iu duhet më shumë kohë për të dalë me një vendim, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv.kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie. Pas kërkesës së Kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga Kushtetuesja.

(Kosova Sot Online)