Policia me kontrolle të shtuara për kamionë e autobusë

  • A.P /
  • 09 February 2026 - 15:45
Policia me kontrolle të shtuara për kamionë e autobusë

Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e aktiviteteve sipas planit ROADPOL 2026, me fokus të veçantë kontrollin e mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, përkatësisht kamionëve dhe autobusëve, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore në vend,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e shtuara do të zhvillohen nga sot deri më 15 shkurt 2026, në të gjitha rrugët e Republikës së Kosovës, dhe do të përfshijnë verifikimin e kushteve teknike të mjeteve, dokumentacionin përkatës, respektimin e orarit të vozitjes dhe pushimit, si dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia thekson se shoferët e kamionëve dhe autobusëve konsiderohen shoferë profesionistë, andaj nga ta pritet të jenë shembull në respektimin e ligjit dhe në sjelljen korrekte në trafik.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se këto aktivitete kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

(Kosova Sot Online)