Tërnava: Ramazani është shkolla e shpirtit

  • A.P /
  • 18 February 2026 - 15:15
Tërnava: Ramazani është shkolla e shpirtit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë dhe qytetarët e vendit me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore të Ramazanit si muaj i zbritjes së Kuranit, duke cituar ajetin: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani” (El Bekare, 185). Sipas tij, Ramazani është kohë reflektimi, pastrimi shpirtëror, forcimi të besimit dhe rritjeje në devotshmëri.

Myftiu vlerësoi se ky muaj nxit durimin, faljen, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë, duke theksuar se agjërimi është një nga adhurimet më të veçanta, i cili kryhet me sinqeritet të plotë për hir të Krijuesit.

Në mesazhin e tij, ai vuri në pah lidhjen ndërmjet dashurisë ndaj fesë dhe dashurisë ndaj atdheut, duke kujtuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte rezultat i një sakrifice të gjatë për liri dhe dinjitet.

Ai bëri thirrje për ruajtjen e paqes, unitetit dhe vëllazërisë, duke theksuar se mesazhi i Ramazanit është paqja dhe respekti i ndërsjellë.

Tërnava ka përmendur edhe faktin që muaji i Ramazanit këtë vit përkon me festën e pavarësisë.

“Në këtë natë të bekuar të Ramazanit dhe në atmosferën festive të datës sonë më të rëndësishme kombëtare, 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit tonë, zemrat tona rrahin njësoj për besimin dhe atdheun”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)