Koci vetëofrohet si kundërkandidat i Konjufcës për President

  • A.P /
  • 05 March 2026 - 12:15
Koci vetëofrohet si kundërkandidat i Konjufcës për President

Avokati Arianit Koci është ofruar për të qenë kundërkandidat i Glauk Konjufcës për president të vendit, për t’i shmangur zgjedhjet e reja parlamentare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai i kërkoi 30 nënshkrimet e nevojshme “në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit”.

“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa. Por, për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës. Mos harroni: me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen. Çka bëjmë nëse VV prap merr rezultat përafërsisht të njëjtë? A duam vazhdimisht të jemi në zgjedhje? Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit”, shkroi ai.

Koci tha se këtë hap po e bën “me vetëdije dhe vullnet të plotë”, edhe pse, siç tha “e di se mund të më dëmtojë personalisht”.

“Megjithatë, kjo është një iniciativë që vendi të mos hyjë përsëri në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale. Interesi i vendit tim është mbi mua. P.S. Askënd nuk e kam kontaktuar për t’ia kërkuar votën. As nuk e thërras. Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, shkroi ai.

Kryeministri Albin Kurti tha më herët sot se uron për “edhe një kandidaturë të dytë”, të cilën, siç thanë dje nga LVV, presin që të vijë nga opozita.

“Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai për gazetarët, para një seance solemne për Epopenë e UÇK-së.

LVV ka mjaftueshëm vota për ta dërguar në Kuvend edhe kandidaturën e dytë për President, por Kurti refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje rreth kësaj ndërsa po hynte në Kuvend.

(Kosova Sot Online)