Mustafa: Toka e Kosovës nuk është dhuratë e askujt

  • A.P /
  • 09 March 2026 - 08:15
Mustafa: Toka e Kosovës nuk është dhuratë e askujt

Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, ka reaguar lidhur me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë se po ia jep në pronësi 24 hektarët Manastirit të Deçanit për hatër të tij, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Remi” me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ deklaroi se s’do që ta besojë që kryeministri e Kosovës ka guxuar ta thoshte një gjë të tillë.

“Nuk dua ta besoj se Kryeministri i Kosovës ka guxuar ta thotë këtë. Edhe për humor është e rëndë. Toka e Kosovës nuk është ‘dhuratë’ e askujt”, deklaroi “Remi”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka dalë me një sqarim lidhur me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se kryeministri Albin Kurti ka thënë se po i kthen këtë pronë në pronësi të Manastirit të Deçanit për hatër të tij.

Manxhuka ka thënë se Rashiq është “ngatërruar” me pranimin e kërkesës së Kurtit për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, së cilës ia ka bashkëngjitur edhe një lajm.

“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, u tha ndër të tjera në shkrimin e Manxhukës.

(Kosova Sot Online)