Droni iranian godet ambasadën e SHBA në Bagdad
Një dron iranian ka goditur ambasadën e Shteteve të Bashkuara pranë aeroportit të Bagdadit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe një re të dendur tymi të zi. Ngjarja shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në Irak.
Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, që citojnë shefin e policisë iraniane, Ahmad-Reza Radan, autoritetet në Iran kanë intensifikuar masat represive për të parandaluar trazirat e brendshme.
Bëhet fjalë për qindra arrestime dhe kërcënime për përdorim të forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve në Teheran. Zyrtarisht, të paktën 500 persona janë ndaluar që nga fillimi i konfliktit.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar edhe në pjesë të tjera të rajonit. Gjatë natës janë dëgjuar të paktën tre shpërthime në Dubai, pas një alarmi të mëparshëm për raketa. Në Katar është shpallur sërish alarm sigurie, pasi shpërthime të forta janë dëgjuar në Doha.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër anije cisternë nafte është goditur nga një predhë e paidentifikuar, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e rrugëve detare dhe furnizimit me energji.
(Kosova Sot Online)
