Rrëzohet kërkesa e Erion Veliajt
Ka vijuar këtë të hënë seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili sërish nuk është paraqitur fizikisht në sallën e gjyqit.
Sipas informacioneve nga seanca, Veliaj është përfaqësuar nga avokati i tij, ndërsa mungesa e tij është justifikuar përmes dy deklaratave zyrtare të përcjella nga Drejtoria e Burgjeve, ku njëra prej tyre thekson se ai nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë.
Në proces, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, përfaqësohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Gjatë seancës u lexua edhe kërkesa e depozituar nga Veliaj, i cili kishte kërkuar që seancat gjyqësore të transmetoheshin live, me argumentin se publiku duhet të ndjekë në kohë reale ecurinë e procesit. Megjithatë, kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata.
Po ashtu, për seancën e sotme nuk është lejuar prania e kamerave në sallë, pasi një prej të pandehurve në çështje, Elman Abule, nuk ka dhënë pëlqimin për filmim, duke çuar në mbylljen e procesit për mediat vizive.
(Kosova Sot Online)
