Kuvendi i Kosovës del me njoftim

  • A.P /
  • 29 April 2026 - 09:16
Kuvendi i Kosovës del me njoftim

Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim për seancat e njëpasnjëshme ditën e djeshme. Në njoftim, është bërë një kronologji e seancave për zgjedhjen e presidentit, dështimi i të cilave e çoi vendin në zgjedhje. Aty, u përmbledhën deklarimet e kryetares së Kuvednit të Ksovës Albulena Haxhiu dhe të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në hapje të seancës, kryetarja e Kuvendit rikujtoi edhe njëherë kushtet kushtetuese dhe procedurale për zgjedhjen e presidentit, duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë Aktgjykimin në rastin KO29/11, si dhe opinioneve të Komisionit të Venecias dhe dokumenteve të tjera relevante që lidhen me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces.

Ajo përsëriti disa herë thirrjen drejtuar deputetëve që nuk ishin të pranishëm në sallë, veçanërisht atyre nga grupet parlamentare opozitare, që të kthehen dhe të marrin pjesë në votim, duke theksuar se mungesa e tyre nuk ishte e justifikuar me leje nga kryetarja e Kuvendit.

Në këto rrethana, kryetarja ndërpreu seancën tre herë gjatë ditës. Në vazhdimin e fundit, rreth orës 23:00, ajo përsëriti sërish thirrjen për pjesëmarrje, duke kërkuar që deputetët të lënë anash mospajtimet politike dhe të marrin pjesë në proces.

Gjatë seancës, ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për pasojat ekonomike të mundshme të shkuarjes në zgjedhje të reja, duke përmendur kostot e organizimit dhe humbjet shtesë që, sipas tij, do t’i shkaktoheshin vendit.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti rikujtoi ofertat e dhëna ndaj partive opozitare për të mundësuar zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi tashmë ka një zgjidhje të mundshme, por sipas tij mungon bashkëpunimi i opozitës për ta konkretizuar atë. Ai përmendi gjithashtu edhe kandidimin e Feride Rushitit, duke e falënderuar për gatishmërinë e saj si përfaqësuese e shoqërisë civile.

Kurti akuzoi subjektet opozitare se nuk po tregojnë përgjegjësi politike, ndërsa theksoi se vendimmarrja për të ardhmen i takon qytetarëve të Kosovës.

Në prag të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit deklaroi se kjo seancë shënon përfundimin e procesit aktual dhe të kësaj legjislature, duke shtuar se, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet e reja do të shpallen brenda afateve kushtetuese.

(Kosova Sot Online)