Misteri rreth shënimit të lënë nga Jeffrey Epstein
Një shënim i dyshuar vetëvrasjeje, që besohet se është shkruar nga Jeffrey Epstein në burgun e Manhattan-it, ka mbetur i fshehtë për gati shtatë vite, i mbyllur në një gjykatë në Nju Jork.
Sipas një zbulimi të New York Times, shënimi thuhet se u gjet nga bashkëvuajtësi i tij në korrik të vitit 2019, kur financieri u gjet pa ndjenja me një copë pëlhure të lidhur rreth qafës. Në atë kohë ai mbijetoi, por ndërroi jetë një muaj më vonë, më 10 gusht, brenda burgut.
Shënimi u vulos më pas nga një gjykatës federal si pjesë e çështjes penale ndaj bashkëvuajtësit. Kjo do të thotë se hetuesit që po shqyrtonin vdekjen e Epstein nuk kishin akses në një provë që mund të kishte qenë kyçe.
Në përmbajtjen e tij, Epstein shkruante se “ka ardhur koha të themi lamtumirë”, sipas dëshmisë së bashkëvuajtësit Nicholas Tartaglione. Edhe pse ai e përmendi ekzistencën e shënimit në një podcast vitin e kaluar, dokumenti i shkruar me dorë mbeti i panjohur për publikun, edhe pas publikimit të miliona faqeve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
New York Times raporton se shënimi nuk është gjetur në arkivat e Epstein, ndërsa një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë pranoi se institucioni nuk e ka parë atë.
Megjithatë, një dokument me dy faqe në arkiva përshkruan mënyrën se si shënimi u përfshi në çështjen ligjore të ndërlikuar të Tartaglione. Sipas këtij dokumenti, avokatët e tij e kanë verifikuar shënimin, pa u sqaruar mënyra. Nëse vërtetohet se është shkruar nga Epstein, ai mund të japë informacion të rëndësishëm për gjendjen e tij psikologjike në javët para vdekjes.
(Kosova Sot Online)
