Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe

  • A.P /
  • 22 May 2026 - 16:02
Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe

Refuzohet ankesa e “Listës Serbe”, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me certifikimin e dhjetë kandidatëve të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që e udhëheq Nenad Rashiq, për zgjedhjet e 7 qershorit.  

“Kundër vendimit të PZAP-së, subjekti politik “Lista Serbe” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Ankuesi ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri. Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ankesa është e pabazuar”, njoftoi gjykata.

Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.

Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

Gjykata Supreme gjithashtu vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.

(Kosova Sot Online)