Zelensky kundërshton propozimin gjerman
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kundërshtuar propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’i dhënë Ukrainës një formë anëtarësimi të asociuar në Bashkimin Evropian, duke thënë se një qasje e tillë do ta linte Kievin “pa zë” në vendimmarrjen evropiane.
Sipas raportimit të Reuters, Merz ka propozuar që Ukraina të marrë pjesë në takimet e BE-së pa të drejtë vote, si një hap i përkohshëm drejt anëtarësimit të plotë në bllok. Ai argumentoi se kjo mund të ndihmojë në përparimin e negociatave politike dhe në përfundimin e luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Zelensky tha se Ukraina meriton përfshirje të plotë dhe të barabartë në institucionet evropiane.
“Do të ishte e padrejtë që Ukraina të ishte e pranishme në Bashkimin Evropian, por të mbetej pa zë”, shkroi ai.
Presidenti ukrainas theksoi se pas largimit të kryeministrit hungarez Viktor Orban nga pushteti pas zgjedhjeve të fundit, është krijuar një mundësi e re për përparim në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Letra iu drejtua Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentit të Qipros Nikos Christodoulides.
Zelensky falënderoi vendet evropiane për mbështetjen ndaj Ukrainës gjatë luftës, duke shtuar se vendi i tij po mbron jo vetëm territorin ukrainas, por edhe sigurinë e gjithë Evropës.
(Kosova Sot Online)
