Ekzekutohet në Arizona një i dënuar me vdekje

  • A.P /
  • 23 May 2026 - 16:00
Ekzekutohet në Arizona një i dënuar me vdekje

Në shtetin amerikan Arizona është ekzekutuar me injeksion vdekjeprurës Leroy Dean McGill, i dënuar për një krim të rëndë të kryer në vitin 2002, ku kishte hedhur benzinë mbi një çift dhe i kishte vënë flakën.

Sipas autoriteteve të Departamentit të Korrektimit në Arizona, 63-vjeçari u shpall i vdekur në orën 10:26 të mëngjesit, pasi kishte konsumuar vaktin e tij të fundit që përfshinte onion rings, bukë me gjalpë, tortë me çokollatë dhe sallatë jeshile.

Para ekzekutimit, ai ka falënderuar stafin e burgut dhe dëshmitarët, duke thënë se ishin treguar “shumë të sjellshëm dhe të mirë”. Po ashtu, ai është parë duke buzëqeshur dhe duke tundur kokën para se t’i administrohej injeksioni fatal.

McGill ishte shpallur fajtor për vrasjen e Charles Perez dhe plagosjen e rëndë të partneres së tij, e cila i mbijetoi sulmit me djegie të rënda në trup. Sipas hetimeve, ngjarja kishte ndodhur në një banesë në Phoenix pas një konflikti dhe përdorimi të substancave narkotike.

Juritë e kishin shpallur fajtor për vrasje, tentativë vrasjeje dhe zjarrvënie, ndërsa mbrojtja e tij kishte kërkuar mëshirë duke argumentuar probleme psikologjike dhe histori abuzimi gjatë fëmijërisë.

Pavarësisht përpjekjeve ligjore për rishqyrtim të dënimit, ekzekutimi u krye siç ishte planifikuar nga autoritetet amerikane.

(Kosova Sot Online)