Protesta e 23-të në Tiranë: Dorëheqja e Edi Ramës e panegociueshme
Të hënën, më 22 qershor, qytetarët u mblodhën sërish në Tiranë për protestën e 23-të radhazi për të shprehur pakënaqësitë e tyre, kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Sikurse dhe ditët e tjera, qytetarët kanë nisur fjalimet, ndërsa kanë shpalosur flamuj kombëtarë dhe pankarta me mbishkrime të ndryshme.
Kërkesat e protestuesve mbeten të njëjta, kundër projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.
Ndërkohë, grupi koordinues i protestës ka dalë me një deklaratë të rëndësishme, ku ka shpalosur kërkesat zyrtare të hartuara mbi bazën e propozimeve të qytetarëve.
Mes pikave të hartuara, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverisë teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12 mujor.
Një tjetër kërkesë e protestuesve është ndërmarrja e ndryshimeve kushtetuese që do të kufizonin ushtrimin e detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës politike të një individi.
Përmbajtja e deklaratës:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë:
– ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
– ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
-kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4- Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
-Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
-Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
– Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
– Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5- Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Kryeministri Rama i thotë “jo” dorëheqjes
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të protestuesve për largimin e tij, kryeministri Edi Rama ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen dhe se Shqipërinë nuk do ta lërë në duart e “zhurmuesve”.
(Kosova Sot Online)
