Mjeku Hajriz Ibrahimi braktis PDK-në dhe i bashkohet Vetëvendosjes

  • 14 March 2016 - 11:53
Mjeku Hajriz Ibrahimi braktis PDK-në dhe i bashkohet Vetëvendosjes

Një figurë e rëndësishme e PDK-së në Gjilan, mjeku Hajriz Ibrahimi, i është bashkëngjitur Vetëvendosjes. “Arsyet e ardhjes sime në Vetëvendosje janë të shumta, duke u nisur nga programi,qëndrimet, parimet, sinqeriteti, modestia dhe koncepti i qartë politik”, thotë Ibrahimi.

Ai premton se tërë kapacitetin e tij intelektual dhe profesional do ta vë në shërbim të kësaj Lëvizje dhe qytetarëve të Gjilanit. “Do të përpiqem me tërë qenien time ta ndihmojë këtë parti, sepse jam shumë i bindur se ka vizion të qartë dhe të drejtë”, ka thënë dr Hajriz Ibrahimi.

Në paraqitjen e tij të parë para mediave, si pjesë e Vetëvendosjes, ai ka shpalosur vërejtjet dhe kritikat e tij për sferën e shëndetësisë, konkretisht për statutin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, duke kërkuar që pediatri në Mjekësinë Familjare të rregullohet me ligj, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Ai thotë se stauti i QKMF-së nuk është në harmoni me Ligjin e Shëndetësisë, sepse ua pamundëson specialistëve të pediatrisë që të punojnë në Mjekësinë Familjare, gjë që është e padrejtë ndaj fëmijëve. Kërkon që statuti të kompletohet, duke përfshirë edhe pediatrinë në kuadër të mjekësinë familjare.

Njëherësh, Ibrahimi kërkon edhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në disa fshatra. “Ne kërkojmë që në ambulancat në Shurdhan e Vërbicë të Zhegocit të punojë infermieri pesë ditë në javë, kurse mjeku të shkojë së paku dy ditë në javë”, thotë Ibrahimi.

Hajriz Ibrahimi ka qenë një figurë e rëndësishme e PDK-së në Gjilan. Ka drejtuar nëndegë, ka qenë pjesë e Kryesisë së Degës, e Këshillit Drejtues. Pas një periudhe “qetësie” dhe abstenimi nga aktiviteti politik, i bindur se në PDK nuk mund të vazhdonte më tutje, vendosi t`i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje.

(Kosova Sot)