Kelmendi: Liberalizimi s'është medalje e artë për t'u lavdëruar lidershipi i kriminalizuar

  • 04 May 2016 - 18:07
Kelmendi: Liberalizimi s'është medalje e artë për t'u lavdëruar lidershipi i kriminalizuar

Profesori Muhamet Kelmendi thotë se çështja e nxjerrjes së vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave që pritet të bëhet nga e mërkura, më shumë është çështje e zbatimit të politikës së BE-së në raport me të gjitha vendet e Ballkanit, që të mos lërë ndonjë shtet, edhe shtet të ri të krijuar në Ballkanin Perëndimor, jashtë mundësisë së hapjes së procesit të rrugës së integrimit në BE.

Sipas tij, këtu nuk kemi të bëjmë me një çështje të marrjes së vendimit mbi bazën e vlerësimit pozitiv për rezultate e qeverisjes së mirë në një vend, sikur që është Kosova.

"Të gjithë tani jemi të bindur se liberalizimi i vizave nuk po vjen si rezultat i të arriturave të qeverisjes së vendit, reformave në drejtësi, të zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve në arsim, punësim e shëndetësi, në fushën e luftimit të krimit të organizuar e të korrupsionit, kur ne e dimë të gjithë dhe po shohim se qeveritarët në pushtet kanë pasuri marramendëse, duke qenë milionerët më të mëdhenj se sa ata që merren me biznes të ligjshëm", theksoi Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”.

"Kjo është e ditur se në asnjë situatë, asnjë politikan nuk mund të bëhet me një pasuri të tillë në mënyrë ligjore, pa u futur në hajni të thellë dhe në krim të organizuar. Pra, liberalizimi është qëndrim politik i vetë Unionit Evropian, por jo rezultat dhe medalje e artë për t'u lavdëruar dhe për t'u shfajësuar lidershipi i kriminalizuar, që po e udhëheq shtetin e Kosovës", tha prof. Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)