Siri, sulmi ajror vret dhjetëra refugjatë në një kamp
Dhjetëra njerëz janë vrarë në një sulm ajror ndaj një kampi refugjatësh në veri të Sirisë, zonë e kontrolluar nga kryengritësit.
Në pamjet e shpërndara në mediat sociale shfaqen tenda të shkatërruara në kampin e Kamunas pranë Sarmadas në provincën e Idlibit, në afërsi me kufirin turk.
Sipas raportimeve paraprake, sulmi u krye nga aeroplanët luftarakë sirianë ose rusë, por kjo nuk është konfirmuar ende.
Ky sulm vjen një ditë pas zgjatjes së armëpushimit. Ushtria siriane dhe rebelët jo-xhihadistë u pajtuan për një armëpushim të përkohshëm në rrethinat e qytetit të Alepos, pas presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
(Kosova Sot)