Gjykata Speciale nuk do ta pastrojë skenën politike!

Gjykata Speciale nuk do ta pastrojë skenën politike!
  • 28 June 2015 - 21:24

Shkruan: Faik KRASNIQI  

 

Ne si popull dhe media, pikë së pari nuk jemi në dijeni se kush me të vërtetë do të akuzohet nga Gjykata Speciale, për krimet e supozuara të luftës, në bazë të këtij raporti të Dick Martit!   Nëse nga kjo Gjykatë akuzohen politikanët apo individët që kanë krijuar pasuri marramendëse në kurriz të këtij populli, duke e vjedhur dhe plaçkitur këtë shtet, atëherë është absurde që me paratë e popullit të mbrohen këta persona, që janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e shtetit dhe gjithë shoqërisë! Por nëse nga kjo Gjykatë Speciale akuzohen persona që janë në kushte të rënda financiare, e që kam bindjen se do akuzohen pikërisht njerëz që kurrë nuk ua kemi dëgjuar zërin, por që do të jenë ''kurban'' të këtyre politikanëve maskarenj që do të duhej të futeshin në burg për krime ekonomike dhe vrasje politike po nga kjo Gjykatë, sepse krime lufte nuk besoj të ketë bërë ndonjë shqiptar, me përjashtim të rasteve individuale, por nuk mund të quhen krime lufte, sepse dihet botërisht që lufta jonë çlirimtare ka qenë e pastër si loti!   

 

Gjykata Speciale do të formohet vetëm për krime lufte!

 

Gjykata Speciale do të themelohet vetëm për krimet e supozuara të luftës, në bazë të raportit të Dick Martit! Por nëse kjo Gjykatë Speciale do t'i trajtonte të gjitha krimet ekonomike dhe vrasjet me motive politike, atëherë me të vërtetë do të ndodhte ai ''tërmet'' tronditës, ku do të pastrohej skena politike nga këta politikanë kriminelë e mafiozë, të cilët prej 16 vjetësh e kanë kapur shtetin për fyti, duke e vjedhur, plaçkitur dhe pamëshirshëm e shkatërruan në çdo qelizë të saj dhe në mënyrë të paligjshme e në kurriz të këtij populli, u pasuruan dhe po bëjnë një jetë superluksoze, si të mbretërve dhe pashallarëve, në Kosovën e varfër! Prandaj kjo Gjykatë, duke qenë se nuk do të merret me krimet ekonomike dhe vrasjet politike, nuk do ta bëjë as pastrimin e skenës politike, nga kriminelët dhe mafiozët e politikës! Kriminelë të veshur me petkun e politikanëve, të cilët janë shndërruar në kancerin e gjithë shtetit dhe shoqërisë, dhe fajtorët për shkatërrimin e Kosovës dhe dështimit si një shtet normal dhe funksional!   

 

Politikanët kriminelë nuk do të preken nga Gjykata Speciale!

 

Kështu që ata deputetë të pozitës që gjoja e kundërshtuan themelimin e kësaj Gjykate, se do të votojnë kundër, janë të njëjtët ose shumica prej tyre që do të votojnë Pro, sepse e dinë fare mirë që as ata e as shokët e tyre, nuk do të preken nga kjo Gjykatë, për milionat e vjedhura nga ky popull! Ne si popull e si shtet asgjë nuk do të përfitojmë nga kjo Gjykatë, por vetëm do të humbim edhe nja 10 vite kohë, e në anën tjetër këta kriminelë e banditë prapë do të vazhdojnë të udhëheqin dhe shkatërrojnë Kosovën! Prandaj shqiptarët po tregohen naiv duke menduar që Gjykata Speciale do t'i largojë nga skena politike kriminelët, por e kanë gabim, sepse kjo Gjykatë do të merret vetëm me krime lufte! E ky popull që jeton me ëndrra syçelë, vazhdon ta gënjejë dhe t'i krijojë iluzione vetes, se kjo Gjykatë do ta pastrojë Kosovën nga këta kriminelë e banditë, të veshur me petkun e politikanit!