Gjatë nëntë vjetëve, së paku nëntë shkelje të Kushtetutës!

Gjatë nëntë vjetëve, së paku nëntë shkelje të Kushtetutës!
  • 18 April 2017 - 09:36

Kushtetuta shpërfillet, kryesisht nga pushtetarë të harbuar e të papërgjegjshëm

 

Shkruan: Prof. Dr. Riza SMAKA

Kushtetuta

Kushtetuta është ligji suprem i shtetit, me të cilën kryesisht dhe zakonisht përcaktohen parimet themelore, të drejtat dhe liritë themelore, forma e shtetit sipas sundimit dhe rregullimit, organet dhe institucionet shtetërore kryesore, sistemi i drejtësisë, sistemi ekonomik, qeverisja lokale, sektori i sigurisë dhe i mbrojtjes, institucionet e pavarura e çështje të tjera, varësisht nga rasti në rast.

Në procesin e zbatimit të Kushtetutës, konform me të miratohen akte ligjore të shumta e të ndryshme vijimisht, për të lehtësuar zbatimin e akteve juridike të përgjithshme: akteve ligjore apo të legjislacionit primar, miratohen akte juridike të përgjithshme përkatësisht akte të legjislacionit sekondar në formë të dekreteve, urdhëresave, rregulloreve, udhëzimeve etj.

Përfillja dhe shpërfillja e Kushtetutës

Në shtetet e së drejtës me tradita demokratike e me kulturë juridike të sublimuar, Kushtetuta përfillet me përkushtim, në një anë dhe, çfarë do shpërfilljeje e saj, ndëshkohet përkatësisht dhe pa asnjë farë përjashtimit, në anën tjetër. Ndërkaq, në shtetet në të cilat mungojnë kualitetet e tilla, Kushtetuta shpërfillet, kryesisht nga pushtetarë të harbuar e të papërgjegjshëm.

Për të qenë edhe më keq, papërfillësit e Kushtetutës, në shtete juridike, por jo edhe të drejtës, zakonisht nuk ndëshkohen! Vendi ynë mund të karakterizohet si shtet në të cilin, Kushtetuta nuk përfillet sa dhe sikundër kërkohet madje, në të cilin, ajo shkelet nga titullarë të institucioneve dhe nga institucione më të thirrura për përfilljen, zbatimin dhe implementimin e saj, në një anë dhe jo rrallëherë, të njëjtët nuk i nënshtrohen përgjegjësisë, në anën tjetër.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka qenë miratuar në datën 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi në datën 15 qershor 2008.

Pos përfilljes së Kushtetutës, kryesisht, nëpërmjet miratimit të akteve ligjore e nënligjore si dhe aplikimit të dosidoshëm të tyre, gjatë periudhës 2008 – 17, nga institucione publike përkatësisht titullarë të tyre, Kushtetuta nuk është përfillur së pakut nëntë herë gjatë këtyre nëntë vjetëve!

Shkelja e Kushtetutës mund të bëhet implicite, eksplicite, nëpërmjet papërfilljes, keqinterpretimit dhe keqaplikimit.

Neni 1 i Kushtetutës dhe fusnota e Editë Tahirit!

Me dispozitën e nenit 1 par. 1 të Kushtetutës, Republika e Kosovës është definuar shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Editë Tahiri, gjatë drejtimit, kryesisht të dobët dhe inferior dhe të pareciprocitet në disfavor të vendit tonë, të Delegacionit të Kosovës në dialogun me atë të Serbisë, ndër të tjera, kishte pranuar që teksti i definimit të shtetit tonë me dispozitën e sipërthënë, të “begatohet” me shenjën e fusnotës, ndryshe të paparë, të padëgjuar dhe të pashembullt gjatë historisë së shtetit dhe të drejtës!

Fusnotimi i emërtimit të vendit tonë, nga ministrja në fjalë vlerësohej rezultat, natyrisht, rezultat tejet i dobët, damkosës, nëpërkëmbës dhe mbi të gjitha antikushtetutar.

U mor vesh se, për t’u fusnotuar definimi i emërtimit nga neni 1 i Kushtetutës, paraprakisht do të nevojitej amendimi i po asaj dispozite në procedurë legjislative të caktuar gjë që, jo që nuk është bërë, por as që është vlerësuar për t’u bërë!

Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta

Gjykata Kushtetuese, konform me nenin 112 te Kushtetutës, është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës si dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Së andejmi, Gjykata Kushtetuese është e autorizuar që, pavarësisht interesave dhe kërkesave ditore politike, të interpretojë Kushtetutën si dhe dispozita ligjore të caktuara, por, jo edhe të krijojë norma kushtetuese apo ligjore, ngase autorizimi legjislativ, sipas nenit 65 të Kushtetutës, është juridiksion ekskluziv i Kuvendit të RK-së.

Në çështjen kushtetuese referuar dy ish-presidentëve të vendit, përkatësisht, në “Rastin Sejdiu” sikundër edhe në “Rastin Pacolli”, Gjykata Kushtetuese, në vend të interpretimit dogmatik “Dura Lex Sed Lex” të dispozitave të neneve 88 dhe 91 të Kushtetutës, në përshtatje me interesat dhe kërkesat politike aktuale, ose ka bërë interpretim arbitrar, ose ka ushtruar autorizim legjislativ dhe për aq nuk e ka përfillë Kushtetutën.

Sikundër dihet, ish-presidenti Sejdiu, edhe pas zgjedhjes për President, e kishte mbajtur, por nuk e ka pas ushtruar funksionin e Kryetarit të LDK-së. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese, duke u bazuar në postulatet politike ditore, ish-Presidentin Sejdiu, e kishte fajësuar për kryerje të krimit të rëndë për shkak të mbajtjes (por jo edhe të ushtrimit) të funksionit politik në LDK. Ndryshe, me dispozitën e nenit 88 të Kushtetutës, Presidentit i ndalohet ushtrimi (por jo edhe mbajtja) e cilit do funksion politik tjetër!

Dallimi ndërmjet mbajtjes dhe ushtrimit të funksionit publik e politik është evident, i qartë dhe diferent për këdo e aq më parë për Gjykatën Kushtetuese!

Në “Rastin Pacolli”, Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera, ka pas konstatuar shkelje të rëndë të Kushtetutës në aktin e vetëvotimit të z. Pacollit. Më pastaj, ajo Gjykatë i kishte ”obliguar“ të gjithë deputetët e Kuvendit për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar “për” apo “kundër” zgjedhjes së Presidentit. Cilësimet juridike të tilla nuk ekzistojnë të sanksionuara në asnjë akt juridik të përgjithshëm, ndaj Gjykata në fjalë, e kishte cenuar parimin juridik afirmativisht  të mirënjohur “Çdo gjë që nuk është e ndaluar, është e lejuar”! Aq më parë kur, një person kur kandidohet për funksionar publik, implicite, fillimisht dhe virtualisht voton për vetveten e, rrjedhimisht dhe, aq më parë, është i autorizuar për t’u vetësponsoruar, vetëagjituar, vetëpropaganduar, madje edhe për të aplikuar fushatë zgjedhore. Secili veprim i tillë është jo vetëvotim, por vetëvotim më i fuqishëm, publik, transparent! Në anën tjetër, konform me nenin 70 par. 1 al. 5 të Kushtetutës, deputeti (përkundër pikëpamjes së Gjykatës Kushtetuese) është i autorizuar për të mos marrë pjesë në punët e Kuvendit deri në gjashtë muaj, në një anë si dhe për të votuar “për”, “kundër” sikundër edhe për të “abstenuar”!

“Rasti VLAN”

Me dispozitën e nenit 95 par. 1 të Kushtetutës është përcaktuar se, pas zgjedhjeve dhe pas konsultimit me partinë politike përkatësisht koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër! Sikundër dihet, koalicioni parazgjedhor, nëpërmjet Presidentit dhe konform me dispozitën e sipërtheksuar, e kishte propozuar kandidatin për Kryeministër, por për shkak të shumicës së pamjaftueshme, kishte dështuar.

Konform me praktikat parlamentare afirmative dhe aplikative në të gjitha shtetet demokratike parlamentare si dhe në opsionet doktrinare, në situatë të tillë, kur dështon partia politike, përkatësisht koalicioni politik i parë nga zgjedhjet, mundësia i koncedohet dhe ofrohet koalicionit të dytë qe mund të jetë para ose paszgjedhor. Në këtë mënyrë, vetëm gjatë vitit 2015 disa shtete të BE-së kanë formuar qeveri të tyre. Aktualisht, koalicioni politik i dytë në Maqedoni ndodhet në skenë për të formuar qeverinë e vendit. Edhe doktrina juridike, ndër të tjera, në Foundations of Comparative Politics, Keneth Newton &Jan Deth,Cambridge, në faqen 229, shprehimisht thekson “ ...The leader of the largest party in parliament – assembly, has the first chance at trying to form a governing coalition, and as such is known, as the formateur, but if this fails, the job passes to the leader of the second largest party – Lideri i partisë më të madhe në Kuvend ka rastin e parë për të formuar koalicionin qeveritar, sikundër njihet formator, por nëse ai dështon, puna kalon në liderin e partisë së dytë për nga madhësia”!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke i shpërfillur postulatet e tilla të qarta e të mirënjohura, por duke i sforcuar synimet e apetitet politike ditore, ia kishte dhënë autorizim ekskluziv  për formimin e Qeverisë vetëm partisë, përkatësisht koalicionit politik fillimisht me numër më të madh të votave por të pamjaftuara për ta formuar Qeverinë dhe, ashtu, koalicionin e dytë paszgjedhor, arbitrarisht, e kishte  privuar nga e drejta për t’u orvatur për formimin e Qeverisë. Për të qenë edhe më keq Gjykata në fjalë panevojshëm dhe tejet dëmshëm, duke aplikuar interpretime politike në vend të dispozitës kushtetuese aplikative në fjalë, kishte shkaktuar bllokadë institucionale për një periudhë disamuajshe.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe Kushtetuta

Jo vetëm nga opinionet e shumta të jurisprudentëve, por edhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri i Kosovës, kur a kishte nënshkruar Marrëveshjen për Demarkacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, i ka nëpërkëmbur mbi njëzet parime e norma kushtetuese!

Në shtetet e së drejtës, jo për mbi njëzet, por vetëm për një të vetmen shkelje të Kushtetutës, shkelësi, në rastin konkret, Kryeministri, nëse nuk do të dorëhiqej pa kusht, Kuvendi do ta shkarkonte dhe pa hezitime. Në vendin tonë nuk ka ndodhur, jo dorëheqja, por as shkarkimi, madje as nisja e procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë së Kryeministrit!

Akti i përgjithshëm juridik për formimin e “Gjykatës Speciale” dhe Kushtetuta

Në rastin e votimit në Kuvend të aktit të përgjithshëm juridik për formimin e dhomave prokuroriale e gjyqësore të specializuara (gabimisht të quajtura “Gjykatë Speciale), sikundër dihet, kishte dështuar miratimi i atij aktit! Ndërkaq, të njëjtën temë njëherë të përfunduar "Res Iudicata”, nga pushtetarë të caktuar, pas ushtrimit të presioneve të fuqishme në deputetë “të padëgjueshëm e refuzues” përkatësisht pas “bindjes“ me shkop apo me karotë, por gjithsesi në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës, Kuvendi, të njëjtën çështje e kishte riproceduar dhe miratuar! Rivendosja e së njëjtës çështje, në praktikat parlamentare afirmative të shteteve të së drejtës, nuk aplikohet, ngase kualifikohet formë evidente kundërkushtetuese nëpërmjet ushtrimit të influencës në mandatin e deputetëve! Aq më parë kur Kuvendi (Asambleja, Parlamenti apo përgjithësisht  Legjislativi) nuk janë organe administrative as gjyqësore që sipas mjeteve juridike përkatëse të rivendosin çështje juridike administrative, civile apo penale të caktuara, Sic!, çështja njëherë e vendosur në Kuvend, në parim, nuk mund të rivendoset e kurrsesi brenda një periudhe të shkurtër dhe të pamodifikuar, ngase rezulton si riprocedim i influencuar me forma të ndryshme të presioneve në kundërshtim me statusin kushtetues të deputetëve.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit kosovar – malazez dhe Kushtetuta

Delimitacioni i parë i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë bërë (nga Komisioni Shtetëror i YU II në vitin 1945) përgjatë linjës Çakorr- Mokna - Hajlë- Kullë dhe nga atëherë asnjëherë, jo që nuk është ndryshuar, por as nuk ka qenë temë e çfarëdo bisedimesh ndërmjet shteteve në fjalë.

Komisioni në fjalë dominohej nga malazezët e, së andejmi, kushtimisht, shpeshherë është quajtur “Komisioni Malazez ...” Vijimisht, Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte mandat parlamentar për të bërë, jo ridelimitacionin kufitar, por demarkacionin kufitar përgjatë linjës kardinale: Qafë e Çakorrit – Mokna - Hajlë – Kullë. Ndërkaq, ai Komision e ka shpërfillur mandatin parlamentar, veçanërisht, ngase në vend të demarkacionit konform me delimitacionin ekzistues historik, të njohur nga të dhënat zyrtare kartografike gjeografike, politike e ushtarake të Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Jugosllavisë e, së andejmi, edhe nga dokumentet kushtetuese të atyre entiteteve shtetërore, nga neglizhenca e skajshme apo nga ndonjë motiv tjetër (sic) ka aplikuar ridelimitacion, madje, të bazuar, jo në faktorët primarë, por, përkundrazi, vetëm në të dhënat kadastrale sekondare. Rrjedhimisht, për të qenë e keqja edhe më drastike, duke e shpërfillur arbitrarisht delimitacionin ekzistues, historikisht dhe faktikisht të konfirmuar, Komisioni në fjalë ka aplikuar ridelimitacion irracional vetëm sipas kadastrit problematik dhe territorin e Kosovës padrejtësisht e ka dëmtuar qenësishëm, për hiç më pak se sa 82 km2- Sic!

Në rrethana të tilla, cilido ekzekutiv i vendit do të reagonte vendosmërisht dhe do të kërkonte pa asnjë farë kushtit riprocedim të demarkacionit të bazuar, jo vetëm në një faktor sekondar, por në të gjithë faktorët primarë të mirënjohur në doktrinën dhe praktikat e së drejtës ndërkombëtare publike, në radhë të parë, në komponentin historik, në të drejtën e fituar, në topografinë, në gjeomorfologjinë, në pronësinë, në etnohistorinë e vijës ndërkufitare të delimituar në vitin 1945, asnjëherë të ndryshuar në procedurë të kërkuar!

Çuditërisht, edhe përkundër pikëpamjeve doktrinare relevante kundërshtuese të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin kufitar kosovar - malazez, të manifestuara në libra dhe tekste shkencore, artikuj profesionalë e shkencorë, konkluzione të konferencave shkencore, pikëpamje e opinione të pjesës së konsideruar të shoqërisë civile, veçanërisht Kryeministri aktual i Kosovës, pos sponsorimit, lobimit, agjitimit të kundërt me ato fakte e të dhëna, në kundërshtim të nenit 70 par. 1 al. 1 të Kushtetutës, aplikon forma të ndryshme të influencimeve të deputetëve, në përgjithësi e të atyre “të padëgjueshëm” në veçanti, për të votuar ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje. Në anën tjetër, kundër ratifikimit të Marrëveshjes në fjalë janë manifestuar pakënaqësitë serioze të së pakut 200,000 qytetarëve peticionistë si dhe, së pakut, të po aq qytetarëve protestues, opinionin unanim dhe të opozitës parlamentare! Së andejmi, një grusht pushtetarësh aktualë, kokëforësisht, iracionalisht dhe pa skrupulla gjithnjë sforcojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit kosovar – malazez, e cila, esencialisht e deformon delimitacionin historik të vitit 1945 që konsiston në linjën kufitare “Qafë e Çakorrit- Mokna - Hajle- Kullë” dhe, për aq, e dëmton integritetin territorial të Kosovës!

Presionet “Face Et Ne Face”, veçanërisht ndaj “deputetëve të padëgjuar”, ushtrohen dendur dhe sistematikisht gjatë disa muajve, përderisa, së pakut, deputetët pozitarë do të bindeshin dhe do të votonin për ratifikimin e Marrëveshjes aktuale, ndryshe, të padrejtë dhe të dëmshme për integritetin territorial të vendit tonë.

 

 Disa forma të papërfilljes së Kushtetutës nëpërmjet ligjit të aplikuar, mosmiratimit të akteve ligjore të kërkuara me të

Sipas aktit ligjor aplikativ për zgjedhjet, në listat e kandidatëve për deputetë, sikundër në listat e deputetëve të zgjedhur, medoemos secili i treti person kërkohet të jetë femër. Së andejmi, në praktikat e deritashme dhe, në vijim, përderisa akti ligjor në fjalë nuk do të shfuqizohej ka ndodhur, përkatësisht do të ndodhte që, pavarësisht nga numri i votave të fituara në listën ranguese, në listën e deputetëve të zgjedhur duhet “Ius Imperativum” që çdo i treti person të jetë femër! Zgjidhja ligjore e tillë është diskriminatore në disfavorin e kandidatëve meshkuj me më shumë vota nga femrat me më pak vota, por të zgjedhura artificialisht, arbitrarisht dhe teknikisht. Zgjidhja juridike e tillë në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës me të cilën sanksionohet çfarëdo diskriminimi gjinor dhe garantohet barazia gjinore, e diskualifikon kandidatin edhe me shumëfish më shumë vota nga kandidatja, ashtu që, kjo e fundit, edhe me shumë më pak vota zgjidhet deputet.

Ekzekutivi, nga motive të indolencës apo të konveniencës, deri sot nuk e ka plotësuar obligimin kushtetues të përcaktuar me nenin 95 të Kushtetutës referuar Ligjit për Qeverinë, nenin 18 të Kushtetutës përkitazi me procedurat për ratifikimin dhe për kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare as nenin, as për rregullimin juridik të Qytetit - Prishtinës! 

(Kosova Sot)