Një storje më e mirë britanike

Një storje më e mirë britanike
  • 10 December 2017 - 09:09

Shkruan: Jim O'Neill

Sot është bërë e rrezikshme të kërkosh shenja të shpresës në ekonominë e Britanisë. Sikur që tregojnë parashikimet e fundit të OECD-së për vitin 2018 dhe më tej, një re e zezë ka ra mbi Britaninë e Madhe. Burimi primar i pesimizmit, natyrisht, është Brexit, si dhe frika se, dalja nga BE-ja, do t'i dëmtojë konsumatorët britanikë me anë të çmimeve më të larta të importeve dhe investimeve më të dobëta në biznese. Dhe, duke i bërë gjërat edhe më të këqija, Zyra e pavarur e Qeverisë britanike për përgjegjësi buxhetore, tani ka ulur pritjet për rritjen ekonomike, për shkak të performancës vazhdimisht të dobët të prodhimtarisë në Britani. Krahas kësaj rënieje ekonomike, politikanët britanikë janë në kaos, ku kryeministrja Theresa May duket se është duke udhëhequr një qeveri gjithnjë e më të dobët. Në këtë moment, gjëja e vetme që pengon një puç të Partisë konservatore kundër May-it, është frika nga humbja e zgjedhjeve të parakohshme, gjë që do të mund ta sillte në pushtet një qeveri të së majtës ekstreme, për herë të parë pas shumë vjetësh. Në ndërkohë, pjesa tjetër e ekonomisë botërore duket se është duke u forcuar dhe, treguesit të cilët unë i konsideroj të besueshëm, janë përshpejtuar derisa jemi duke iu afruar vitit 2018. Një fushë e cila është veçanërisht relevante për Britaninë, është eurozona, ku Indeksi prodhues PMI (Purchasing Managers' Index) u rrit mbi 60 në muajin nëntor, në nivelin e tij më të lartë që nga viti 2000. Përkundër tentimeve më të mira të Britanisë për ta shpallur pavarësinë ekonomike, fati i saj do të vazhdojë të varet më shumë nga fqinjët e saj të afërt gjeografikë, sesa nga ndonjë vend, apo regjion tjetër.

Politikat që kishin për qëllim stimulimin e ekonomisë së veriut, kanë pasur njëfarë efekti

 Gjetiu, gati të gjitha dhjetë ekonomitë më të mëdha në botë, kanë pasur performancë më të fortë gjatë muajve të fundit. Në SHBA kjo ishte e vërtetë edhe para se Kongresi të fillonte të shkruante legjislacionin për shkurtimin tatimor, i cili tani ka të ngjarë që të miratohet. Shtrohet pyetja, ku e lenë kjo Britaninë e Madhe? Mund të duket si befasi të dëgjosh se PMI-ja e Britanisë tani është në nivelet e saj më të larta në katër vjet, duke sugjeruar se bizneset janë duke u bërë më të gatshme për të bërë investime të reja. Nëse të dhënat zyrtare gjatë muajve në vijim mbështesin këtë gjetje, atëherë ajo do të paraqesë me të vërtetë një zhvillim pozitiv. Për më tepër, ekzistojnë disa shenja të hershme të përmirësimit jashtë Londrës dhe juglindjes, gjë që ka sidomos rëndësi për disa prej dobësive më të thella ekonomike të Britanisë. Deri në tetor, PMI-të regjionale mujore, të cilat mbesin prapa PMI-së nacionale për një muaj, tregojnë një trend pozitiv, me të cilin vëzhguesit ekonomikë dhe politikëbërësit do të duhet të merren, nëse ai vazhdon. Ka disa muaj qyshkur Londra ishte regjioni me performancën më të lartë në Britani. Në tetor, ky nder i takoi Uellsit. Dhe, bile edhe në vetë Anglinë, pjesë të ashtuquajturës fuqi veriore, kanë lënë prapa Londrën përgjatë vitit 2017. PMI-ja veriperëndimore është në nivelin më të lartë për muaj të tërë dhe tregon një performancë më të fuqishme absolute sesa Londra. Edhe më trimërues është fakti që Jorkshajri dhe verilindja po ashtu janë duke treguar shenja të fuqisë së përtërirë. Se a do të jetë i qëndrueshëm ky vrull i ri ekonomik, mbetet të shihet. Por, tani për tani, ky është një zhvillim shumë i mirëpritur dhe mund të tregojë se, politikat që kishin për qëllim stimulimin e ekonomisë së veriut, kanë pasur njëfarë efekti. Për më tepër, PMI-të nuk janë dëshmia e vetme e përmirësimit të kushteve në veri. Punësimi është duke u rritur në këto zona, sidomos në verilindje.

Dramat e shumta në lidhje me Brexitin

 Nëse ky trend zgjat, ai do të ketë implikime afatgjata për ekonominë e Britanisë. Forcimi i tregjeve të shtëpive në veri mund të bëjë mrekulli për ndryshimin e paaftësive shqetë- suese regjionale të cilat ishin paraqitur gjatë dekadave të fundit. Një gjë për të cilën mund të jemi shumë të sigurt është se qeveria duhet të vazhdojë me ndjekjen e politikave të angazhimit me 'fuqinë veriore' dhe ndoshta edhe me "motorin e pjesës së brendshme të vendit". Kjo nënkupton përmbajtjen e përkushtimeve për të përmirësuar infrastrukturën e transportit në regjion. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të ndjekë iniciativa shtesë për ta stimuluar edukimin dhe trajnimet aftësuese në veri, duke bartur një autoritet më të madh vendimmarrës te qeveritë regjionale dhe lokale. Një Mançester më i gjerë është në qendrën gjeografike të 'fuqisë veriore'. Nuk mund të jetë rastësi e thjeshtë që kjo zonë është duke përjetuar një ekonomi më të fortë. Britania ka nevojë për më shumë përpjekje të tilla. Në vitin 2018, do të vazhdojnë dramat e shumta në lidhje me Brexitin dhe të ardhmen e qeverisë May. Por, pa marrë parasysh se a do t'ia dalë Britania ta arrijë një marrëveshje të re produktive me BE-në, të paktën ajo ka filluar që t'i adresojë sfidat e vjetra, të cilat kanë bërë që shumë regjione të mbeten prapa për një kohë të gjatë. Meqë këtu kemi të bëjmë me probleme 'vendore, atëherë politikbërësit në këtë rast kanë të drejtë që i kërkojnë zgjidhjet nga brenda.

 (Jim O'Neill është profesor i nderit i ekonomisë në Universitetin e Mançesterit)
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)