Sindikatat tona luajnë me ligjin për interes personal?!

Sindikatat tona luajnë me ligjin për interes personal?!
  • 23 December 2018 - 08:08

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA 

Se janë bërë edhe mjetet e informimit të 'gërditshme', as për t'i hapur fare, kjo s'ka dilemë. Jo gjithnjë që kanë faj ato, por zori dhe ngacmimet që të therin në maje të tepes, të bëjnë që të mos mund ta përmbash vetveten dhe të zbrazësh aty e atje ku nuk ke aq të drejtë ndoshta. Kah të rrotullohesh shumë fjalë e më shumë gënjeshtra me këtë shoqërinë tonë. Me këto partitë, me këto institucionet e me këto sindikatat, sikur të mos ishin personat që prijnë në gjendje normale.
 
Shumë gjëra sot shfaqen në teatrot tona të politikës ditore

Ndoshta nuk do të duhej të merremi me këtë sindikatën të arsimit fare, por kur e sheh se luan rolin e palaços secili, atëherë duhet dosido të reagosh. Ato, kemi thënë qe sa kohë se, nuk janë sindikata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ato janë shërbëtore të qeverive e të krejt sferës së institucioneve dhe të politikës ditore. Ato janë sikur që janë tipat e partive në pushtet. Ato, ata janë për ndonjë 'zallogë - paçavër' si gjithnjë e si shumë kush në këtë shoqërinë tonë, por jo edhe për të hedhur diç të 'hairit' në dritë. Personat që udhëheqin e kanë udhëhequr sindikatat janë servilë pushtetit në kohën moderne te ne. Ata janë të vetë zgjedhur dhe ata bëjnë llogari në emër të mijëra punëtorëve. Ata bëjnë pazare në emër të mijëra e mijëra mësimdhënësve, për shembull. 

Me këto që po flitet do të habiteshin edhe analfabetët me " a po nien mirë sot"?!

Sa herë Sindikata e arsimit ka nxitur punëtorët e këtij sektori të protestojnë dhe sa herë me komandën e tyre janë ulur në bishtin e tyre, kjo s'është numëruar. Dhe sa premtimet janë dhënë, po kjo s'ka qenë mënyra se si do të duhej të stimulohen mësimdhënës të para e as të pas luftës. Për këtë jemi në shkallën zero. Për këtë shkak vijnë të tjerët e na matin shkallën e (pa)punës tonë dhe del një ministër e i fajëson mësimdhënësit. Hë! Sikur këta mësimdhënësit të ishin analfabetë. Rasti i lajmërimit të sindikalistit (Rrahmani) në televizionet tona se, duhet që e gjithë shuma e mjeteve të dedikuara për mësimdhënësit e viteve të '90, që ky humanisti, ideologu, burrështetasi, njeri me sens të veçantë prej krejt këtij trupi arsimor, do që këto mjete t'i transmetojë për Ushtrinë Nacionale të Kosovës. Sa i mençur! Do t'i tregojë botës se veç ky e do ushtrinë, shtetin, Republikën e Kosovës. Që të gjithë këta mësimdhënës janë injorantë, sipas tij, sepse ata s'ka nevojë të pyetën për asgjë, kur shefi i sindikatës është gjallë. Ai di çka duhet të bëjë me ato mjete. Atij është dashur që t'ia rregullojnë anëtarët e sindikatës dhëmbët, sepse ka pengesa dreqi në oratori, në të folmen si njërit prej aktorëve komikë të skenës tonë të përgjithshme...! Duhet ta pyesim kavalierin e humanistin e kohës, sa para ka fituar nga padronët ta bëjë këtë provokim pa i bërë syri vër, provokim sa irritues aq edhe komik. Kaq i ka kushtuar zemra njeriut! Kush di tjetër çka është ushtria dhe rëndësia e formimit të saj prej këtyre mësuesve, arsimtarëve, profesorëve...Me gjasë jo pos këtij Rrahmanit që ka mbi njëmijë ero pagën mujore. A e di ky njeri se, sot nuk kemi shoqata humanitare. Ato janë shuar në Kosovë qysh kur kemi qeveri me të gjitha ministritë e saj. Kur kemi edhe institucione tjera. Kur sot e kemi edhe një kuvend, çfarëdo që është, ai i bën disa ligje, qofshin edhe formalitete për Kosovën.

Ka mundësi dikush tjetër të jetë solidar

Rrahman, thuaj para këtyre punëtorëve të arsimit, që e di edhe ti mirë (mos ke qenë edhe ti mësimdhënës,ndoshta), sa paga qeveria e atëhershme u ka mbetur borxh. S'po flas për heroizmin e tyre, se tash ka shumë heronj...E, ata që do mund të shpalleshin solidarët e parë do të ishin shumë më të kamur: që nga presidenca, qeveria, institucionet tjera dhe ata që kanë nga dy-tri e më tepër vende pune. Pastaj, as personeli arsimor e pensionistët nuk do të bënin përjashtim që të solidarizoheshin me Ushtrinë e Kosovës. Ky do të ishte një propozim i mirë e i pranueshëm, besoj për shumicën, me gjasë në rast nevoje edhe do të duhej të pranohej. Personeli arsimor, kështu si jam unë, bie fjala, janë të mësuar, sepse pjesa më e madhe kanë mbetur klasa më e lodhtë. Jo për fajin e tyre. Meqë ra fjala, këto ditë më pyeti njëri prej kolegëve, çka do të bëhet, a di gjë për këto mjete që është folur për punëtorët e arsimit të viteve të nëntëdhjeta. I thashë se, nuk di asgjë. Nuk besoj derisa mjetet të vijnë në dorën tonë. Këta të gjithë e kanë humbur besën, fjala e tyre thyhet e përzhdridhet disa herë. E kanë humbur dinjitetin. E kanë humbur edhe atë fytyrë të njeriut. Ata, (të gjithë në institucione përgjegjëse) nuk e kanë humbur deri më tash fytyrën vetëm nga korrupsioni e krimi i organizuar që e kanë "fituar" pasurinë për vete e familjet e tyre! Këta e kanë ruajtur të vetmen gënjeshtrën dhe mashtrimin ndaj këtij populli të mjerë. Këta janë në gjendje të gjejnë ende kompromisaxhinj dhe servilë që ua lëpijnë këpucët për vijuar edhe më kjo dramë. Padronët në institucione i kanë në dorë të gjitha mjetet. Ata nuk çajnë as nuk e kanë çarë kokën për ligjin që e aprovojnë vetë. Për ta nuk vlen asgjë që rrjedh nga legjislativi, sidomos atëherë, kur është ndonjë nevojë e interes personal. Një prej këtyre interesave po del edhe prej këtij Rrahmanit...Rrahman më! Ku ta dish ?! Ëëë!...Gjithmonë me do emra të përgjithshëm. Rrahman unë nuk të njoh, veç me këtë propozim tëndin, nuk bën kurrfarë humaniteti! Qëllimi yt nuk është i keq, sikur ta provosh këtë nxitje më parë nga ata që t'i propozova më lartë.

Një propozim i padinjitetshëm

Ka kush merret me këto punë. Një që djeg më së shumti nga propozimi i këtij kryesindikalistit tonë, është që ky me këtë ua përdhos personalitetin krejt këtyre mësimdhënësve, duke i hedhur në breg nga përmbytja si njerëz idiotë. Barka e tyre është thyer ka moti kohë. E sikur këta nuk dinë çka është ushtria e shteti. Se këta, sipas Rrahmanit, janë njerëz egoistë, paçavraxhinj e opinga lëpirës. Janë një klasë shoqërore më e paformuar dhe më injorantë që është e mundur. He more Rrahman! Nuk të njoh, por pavarësisht, me këtë që ti guxon ta fusin në kokën tënde, po del se nuk qenke askush. Dhe po, jemi të mësuar nga këto vite, se, shumica e njerëzve, prej viteve nëntëdhjeta (1990) që kanë arritur nëpër ato Shoqata e institucione, kanë plaçkitur diç (të madhe a po të vogël) dhe nuk kanë dhënë kurrë kurrfarë përgjegjësie. Sërish janë dhe bëhen më prepotentë, duke i konsideruar të njëjtit si njerëzit më atdhetarë. S'do mend ti, Rrahman, s'është hera e parë deri në këto kohë që nuk funksionon diç për punëtorët, për arsimin, për shëndetësinë, për gjyqet e ligjin, asgjë sepse punëtorët kanë mbetur rrugëve. Arsimit ato struktura para luftës e pas luftës i kanë shumë borxh...E di ti sigurisht, por mos harro se i dinë edhe të tjerët. 

Rrahman, një porosi edhe unë po ta jap

I nderuar, a ka fonde Sindikata e arsimit për raste emergjente? Ndodh që punëtori vetë të mos jetë në gjendje normale për mësimdhënie. Ndodh që ta ketë ndonjë anëtar të familjes të sëmurë, etj. Nuk po besoj se ti je aq naiv. Nuk mund të jesh njeri edhe shumë injorant. Nuk je edhe aq diktator ndoshta. Atëherë, si do të tregohesh human para opinionit publik, nëse nuk ia ke arritur qëllimit sindikalist asnjëherë. Shko pra, atje ku bëhen pazare, merrja dy-tre vetave kuletat me pare dhe jepu dy-tre të tjerëve që nuk kanë, janë të varfër. Kjo mënyrë, sipas teje, do të ishte një solidaritet, a? Apo, thyeje ndonjë bankë, merre nga trezorët parat e llogarive të të tjerëve dhe shpërndaj në vende ku ti dëshiron. Ndoshta, kështu do të ishte solidariteti që do të arrish të shënosh në ditarët e tu përgjatë kësaj karrierës tënde në sindikatë. Sot për sot çdo gjë është e mundshme. Nuk je i pari ti, kjo është provuar edhe nga institucionet përgjegjëse në nivel komunal dhe atë qendror. Dëshiroj që të jesh sa më në qendër të vëmendjes. Ka diçka që te ti ende nuk është zbuluar si më e re në këtë opusin politik që po zhvillohet te ne. Eh! Sindikata!...S'është edhe për ta keqkuptuar as edhe një individ si ty, sepse zemra të ka kushtuar të bësh diçka që nuk arrin ndryshe, pos kësaj mënyre...ndoshta ti je në humor, qysh po thonë këta që e flasin gjuhën mirë. Ndoshta, ti Rrahman do të hidhërohesh me fjalët e mia, pak si me emocione?! Po unë nuk kam faj. Jam hidhëruar shumë herë gjatë këtyre viteve, asgjë nuk është bërë. Mundet që nuk kam dëgjuar mirë edhe për këtë çështje nga ato dritaret publike. Nëse nuk është ashtu si e kam dëgjuar, ndoshta gabimisht, unë të kërkoj falje. Dhe krejt kjo del një diçka e pakëndshme. Nëse nuk është ashtu sikur kam thënë për këtë provokimin tënd edhe për këtë kërkoj falje. Kjo vjen ndoshta edhe nga një natyrë personale jo aq pacifiste. S'e kam se duhet të shikoj gjithmonë pikat e zeza. Por, nuk pranoj lojërat, marrja e shtresës së arsimit si xhoker. Për këtë nuk ka nevojë të rrëfej, bie fjala se, ç'është krejt sfera e arsimit dhe edukimit. Jemi lodhur shumë me këto fizkultura që po ndodhin për çdo ditë. Janë bërë tashmë të bajatshme. Mjaft është folur, por veshët e atyre që do të duhej të dëgjojnë janë të futur në zalle si të makushit... 

 

(Kosova Sot)