Pesë momente që karakterizuan vitin 2018

Pesë momente që karakterizuan vitin 2018
  • 29 December 2018 - 08:20

Shkruan: Peter Apps

Vrasja e gazetarit Khashoggi tronditi botën 

Një numër qeverish autokratike duken gjithnjë e më të shkujdesura rreth të të drejtave të njeriut, duke ndërmarrë veprime drakonike kundër kritikëve dhe armiqve

Duke filluar nga afrimi midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, e deri te Olimpiada dimërore në janar dhe agjenda e lajmeve të dhjetorit, vitit 2018 nuk i kanë munguar befasitë. Më poshtë gjenden momentet më definuese të këtij viti, sipas meje. 

Elon Musk, Marsi dhe një vit me rënie dhe ngritje për miliarderët

Më 6 shkurt, raketa "Falcon Heavy" e Elon Muskut u lansua në hapësirë nga Florida dhe dërgoi një fluturake të kuqe "Tesla" në drejtim të Marsit. Kjo ishte një deklaratë e fuqishme rreth ndikimit dhe ambicieve për një gjeneratë të re të miliarderëve teknologjikë. Në përgjithësi, megjithatë, viti 2018 ishte i ashpër për grupin dhe në këtë drejtim as Musk nuk bënte përjashtim. Deri në korrik, ai ishte përfshirë në një zënkë të profilit të lartë me një zhytës britanik, rreth një nëndetëseje në miniaturë për të cilën ai shpresonte se do të ndihmonte në shpëtimin e 12 djemve të zënë në një shpellë nënujore në Tajlandë. As themeluesi i kompanisë "Facebook", Mark Zuckerberg - emri i të cilit dikur përmendej si i një kandidati potencial për president të SHBA-së - nuk pati një vit kushedi sa më të mirë, meqë kompania e tij u godit nga skandale të shumta. "Google", shefi ekzekutiv i të cilit Sundar Pichai u bë shefi më i fundit teknologjik që u ftua në dëshmi para Kongresit, ballafaqohet me një rebelim nga disa punëtorë në tema të ndryshme, duke përfshirë edhe veprimtarinë e tij me SHBA-në dhe me qeverinë kineze. Themeluesi i kompanisë "Amazon", Jeff Bezos, ballafaqohet me kritika gjithnjë e më të shumta rreth kushteve të punës dhe pagesës së pamjaftueshme të taksave. Megjithatë, asgjë nga këto nuk duket të kenë penguar kompanitë teknologjike që të vazhdojnë ta përçajnë botën në mënyrë radikale - në fakt, shumë prej themeluesve të tyre mendojnë se ky edhe është misioni i tyre. Gjatë vitit 2019 mund të presim një intensifikim të këtyre konflikteve, sidomos nëse teknologjia e re, sikur që është inteligjenca artificiale dhe veturat pa shoferë, përshpejtojnë ndryshimet. 

Trump pushon nga puna këshilltarët, shtrëngon 'kapjen'

Një miliarder i cili gjatë vitit 2018 mësoi rolin e tij në sistemin politik, ishte presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Pas njoftimeve për rritjen e frustrimit ndaj disa prej zyrtarëve më të lartë të tij, muaji mars solli shkarkimin e sekretarit të shtetit, Rex Tillerson dhe të këshilltarit të sigurisë kombëtare, H.R. McMaster. Të dy këta ishin parë si ndikime të moderuara ndaj Trumpit, derisa pasuesit e tyre, Mike Pompeo dhe John Bolton u perceptuan si më pak të prirë për t'ia prishur atij. Largimi, në dhjetor, i shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, e lë sekretarin e Mbrojtjes James Mattis si figurën kryesore të frenimit. Marrë në përgjithësi, Trump duket gjithnjë e më i prirë që t'i besojë aftësisë së tij të gjykimit, sesa asaj të pjesëtarëve të establishmentit, apo të insajderëve republikanë. Presidenti u vjen rrotull Kimit dhe Putinit. Gjetiu, diplomacia shpërbëhet Në Singapor në qershor dhe në Helsinki në korrik, Trump shqetësoi shumëkënd në vetë administratën e tij, me ngrohtësinë e manifestuar gjatë takimeve me liderin e Koresë Veriore Kim Jong- Un dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Aspekti miqësor i samiteve ishte në kundërshtim të plotë me mbledhjen e G7 të liderëve në Kanada, po ashtu në qershor. Aty, Trump u paraqit më i izoluar sesa ndonjëherë më parë rreth temave që përfshinin edhe ndryshimet klimatike, proteksionizmi dhe raportet me Rusinë. Liderët e grupit G7 ishin të paaftë që të pajtoheshin rreth një komunikate, ku gjashtë pjesëtarët e tjerë, përjashta SHBA-së, bënë deklaratat e tyre, pavarësisht nga Uashingtoni. Ngjarjet në G7 vunë në pah një problem më të gjerë në diplomacinë ndërkombëtare. Liderët botërorë në samtin e bashkëpunimit ekonomik të Azisë dhe Paqësorit në Papua Guinenë e Re, po ashtu dështuan që të dakordoheshin rreth një komunikate, kësaj here për shkak të ndarjes midis Kinës dhe SHBA-së rreth tregtisë. Edhe pozicionimi ushtarak është në ngritje e sipër. Rusia, Kina dhe NATO këtë verë mbajtën 'lojërat luftarake' të tyre më të mëdhatë në histori, derisa konfrontimet midis avionëve dhe anijeve luftarake në Detin jugor kinez dhe Evropë, janë intensifikuar dukshëm. 

Vritet Khashoggi, derisa shtetet autoritare heqin dorëzat

Shtetet autoritare të botës dukeshin të gjitha të përkushtuara ndaj shtypjes së pakënaqësive dhe opozitës. Kjo nuk ishte askund më e qartë sesa në rastin e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra dhe u masakrua në konsullatën e vendit të tij në Stamboll. Sikur edhe tentimi i agjentëve rusë për vrasjen e spiunit të dyfishtë rus me gaz nervor në Salisbjuri të Britanisë, vrasja e Khashoggi-t shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe një lloj të izolimit diplomatik të Riadit, gjë që nuk u pasua me një kërkim falje nga ata për të cilët besohet të jenë përgjegjës. Një numër qeverish autokratike duken gjithnjë e më të shkujdesura rreth të të drejtave të njeriut, duke ndërmarrë veprime drakonike kundër kritikëve dhe armiqve. Rusia vazhdon kampanjën e saj të pashpirt ushtarake kundër enklavave rebele në Siri dhe një koalicion i udhëhequr nga sauditët ka vazhduar në luftën e tij në Jemen, me një kosto katastrofale për civilët, ku miliona prej tyre tani ballafaqohen me uri. Kina vazhdon me shtypjen e pakicës myslimane ujgure, ku një raport i OKB-së thotë se Pekini ka internuar rreth një milion prej tyre në 'kampe të riedukimit'. Hapat e tillë sugjerojnë se sundimtarët autoritarë sikur ai i Kinës, Xi Jinping dhe ai i Rusisë, Putin, mund të mos ndihen aq të sigurt, sa duken, apo se besojnë që taktikat e tilla brutale thjeshtë janë të nevojshme që ata të mbesin në pushtet.

Mblidhet G20-ta, derisa Parisi digjet

Mbledhja e G20-tës e nëntorit në Argjentinë ishte ndoshta takimi më i suksesshëm multilateral i vitit, me udhëheqësit botërorë që arritën të bien dakord për një komunikatë shumë të butë për reformën e tregtisë globale. Takimi i presidentit Trump me liderin Xi të Kinës solli një lehtësim të përkohshëm nga lufta tregtare e të dy vendeve, edhe pse tensionet e Ukrainës dhe hetimi i Muellerit ndaj Rusisë e bënë të pamundur një takim të Trump-Putin. Megjithatë, nuk kishte mungesë të mosmarrëveshjeve dhe, ndërsa liderët takoheshin, trazirat në Paris paraqiteshin në tituj globalë. Pothuajse çdo udhëheqës perëndimor në Argjentinë u kthye në shtëpi në ndonjë krizë ekzistenciale politike. Presidenti francez Emmanuel Macron që nga ajo kohë u përkul ndaj disa kërkesave të protestuesve të "xhaketave të verdha", veçanërisht mbi taksën e karburantit, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të frenuar trazirat. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka sinjalizuar se së shpejti do të largohet nga politika, edhe pse ka pasur sukses në emërimin e një "të preferuare" për ta udhëhequr partinë e saj. Trump u kthye në Uashington për t'u përballur me pasojat e pranimit të ish avokatit Michael Cohen se kishte gënjyer në Kongres në lidhje me një projekt "Trump Tower" në Moskë; Kryeministrja britanike Theresa May ka dështuar deri tani të gjejë një marrëveshje të Brexitit, e cila do të kalonte në parlament. Shumë prej këtyre rrugëve pa krye rrjedhin nga një krizë shumë më e gjerë në vendet perëndimore, me boshllëqe në rritje të pasurisë dhe shpesh në rritje të pakënaqësisë dhe me vështirësi mes më të varfërve. Zgjidhja e këtyre çështjeve do të jetë e vështirë - dhe më shumë pengesa duken të pashmangshme përgjatë vitit 2019 dhe më tej.

 

 

(Kosova Sot)