Samiti i Berlinit moment kthese në dialogun Prishtinë-Beograd!

Samiti i Berlinit moment kthese në dialogun Prishtinë-Beograd!
Samiti i Berlinit moment kthese në dialogun Prishtinë-Beograd!

Enver Bytyçi

  • 19 prill 2019 - 12:06

Sa më shumë afrohet 29 prilli, aq më shumë shtohen hamendjet, interpretimet dhe dilemat për atë se çfarë do të ndodh në këtë samit e pas tij. Mediat perendimore flasin për "varrosje të planit Thaçi-Rama-Vuçiq të ndarjes së Kosovës". Disa sosh shkruajnë për një intervenim të Berlinit në Paris që të pajtohen dy vendet lidere të BE-së për një qasje tjetër në zgjidhjen e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit.  

Ndërkaq Hashim Thaçi vazhdon të përmendë letrën e Presidentit Trump dhe të zotohet se "Pa Amerikën nuk do të ketë zgjidhje", duke nënkuptuar se i përmbahet edhe më tej planit të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe. Madje ai dje tha se samiti i Berlinit nuk do të sjellë asgjë të re dhe se do të kërkonte liberalizimin e vizave për Kosovën, duke dashur kështu të mbulojë gënjeshtrën e madhe që pati bërë kur ishte kryeministër, se ai do ishte protgonisti i liberalizimit të këtyre vizave brenda vitit 2015. Njerëzit dhe mediat pranë Thaçit e Ramës kanë përhapur gjithashtu lajmin se "një zgjidhje më e keqe se darja do t'i ofrohet Kosovës në Berlin"! Të gjitha këto zhvillime, deklarime, hamendje, thashetheme politike kanë një qëllim të vetëm: Të vazhdojnë përpëlitjet e shërbëtorëve të Beogradit ose për ta justifikuar aventurën e tyre të ndarjes së Kosovës, ose për të vijuar promovimin e mëtejmë të kësaj aventure.

Hashim Thaçi nuk heq dorë nga kjo aventurë. Ai provokon çdoherë në mënyrën më vulgare të mundshme, ndërkohë që e di se as Amerika, as Gjermania nuk do ta pranojnë shuarjen e shtetit të Kosovës! Ai thjesht manipulon me tezat e tij perverse për t'i shpëtuar ndëshkimit të opinionit publik për veprimtarinë e tij antishtetërore dhe antikosovare! Samiti i Berlinit do të jetë moment kthese në zgjidhjen e të gjitha konflikteve në Ballkanin Perendimor e sidomos në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë samit mund t'i jepet Beogradit akses në Kosovë, por çdo zgjidhje tjetër përveç ndarjes do të ishte më e mire sesa ndarja. Në fund të fundit edhe autonomia e zgjeruar, edhe ekstraterritorialiteti janë zgjidhje që nuk e shkatërrojnë integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Sigurisht nëse politika në Prishtinë do të dijë dhe do të ketë vullnet të ushtrojë dhe aplikojë politika demokratike e nacionale në shërbim të qytetarëve të saj.

Nëse ndodh kjo, atëherë është në dorën e politikës kosovare që të dijë të ndërtojë një shtet të qytetarëve të saj, me qëllim që ta parandalojë çdo pasojë negative që buron nga autonomia e zgjeruar për serbët ose ekstraterritorialiteti. Ndërkaq procesi i integrimeve europiane është një shans i padiskutueshëm për ta mbyll plagën e krijuar dhe për të krijuar atë që quhet shtet sovran të Kosovës në një Europë të Bashkuar!

Aleksandër Vuçiq në Beograd, Hashimi në Prishtinë dhe Rama në Tiranë e kuptojnë se çdo zgjidhje tjetër përveç ndarjes do të shkojë në favor të shtetësisë së Kosovës dhe për këtë arësye ata bëjnë lobimin e radhës për ndarjen e saj. Nëse do ketë autonomi dhe ekstraterritorialitet, ajo do të jetë thjesht kulturore, sepsë vetë Serbia është sjellë kësisoj para Europës e botës, duke e promovuar Kosovën si qendrën e kulturës së saj. Gjithë tjerat nuk mund e nuk do të jenë pjesë e këtij procesi. 

Kultura serbe dhe ruajtja e trashëgimisë së saj e ka edhe një zgjidhje tjetër: Civilizimin politik e shtetëtor dhe shndërrimin e Kosovës në një shtet qytetar, që do të thotë, jashtë emocioneve nacionaliste. Emocionet nacionaliste prodhojnë politikën elektorale, ndërkohë që sjellja qytetare prodhon harmoninë e banorëve dhe shtetit të Kosovës! Mendësia nacionaliste po e shkatërron Kosovën dhe e ka shkatërruar tashmë Serbinë. Derisa në Prishtinë të kuptojnë se Kosova nuk mund të mbrohet me armët me të cilat mbrohet Serbia, pra përmes idesë nacionaliste të modelit serb, deri atëherë konflikti midis Prishtinës dhe Beogradit do të trajtohet si konflikt me përgjegjësi të përbashkët.

Në momentin që shqiptarët do të dalin nga kurthi propagandistik e folklorik nacionalist, ata do të bëjnë menjëherë diferencën me serbët dhe kësisoj do të fitojnë automatiksht përkrahjen e forcave përparimtare në Perendim. Kjo lloj politike e urtë dhe e zgjuar e Ibrahim Rugovës ia hapi Kosovës dyert e Europës, SHBA-ve dhe Vatikanit. Çdo përpjekje për të manipuluar me nacionalizmin folklorik, siç bëjnë Rama dhe Thaçi, do ta dobësojë pozitën e Kosovës në Perendim.

Po kështu korrupsioni dhe mungesa e shtetit. Prandaj duhet bërë shteti që Kosova të njihet e promovohet në botë! Por shtet me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën as Kosova dhe as Shqipëria nuk do të kenë kurrë! Berlini duhet e do të jetë moment kthese në shtëtndërtimin dhe shtetnjohjen e Kosovës. Taksa do të jetë aty derisa Serbia të kthjellohet e të kuptojë se vazhdon në letargjinë nacionaliste të kohës së Milosheviçit!

Pala e Kosovës thjesht duhet të këmbngulë në atë që Beogradi të kërkojë ndjesë publike e institucionale me rezolutë të parlamentit serb për krimet që Serbia ka bërë në Kosovë! Kaq do të duhet që marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit të jetë e ekulibruar dhe të sjellë paqen në rajon!

(Kosova Sot)