Një kushtetutë globale

Një kushtetutë globale
Një kushtetutë globale

Kaushik Basu

  • 21 April 2019 - 09:13

 Shoqëritë ose mund të përforcojnë këto konflikte me anë të luftës dhe dominimit, apo mund të merren vesh rreth një kodi të përbashkët

SHBA-ja, një lider i vjetër në vënien e normave globale, është duke u tërhequr prapa murit të saj psikologjik. Do të duhet që qytetarët e thjeshtë, anëtarët e shoqërisë civile dhe, me të vërtetë, liderët fetarë, ta njohin nevojën për bashkëpunim global dhe të kërkojnë që politikëbërësit ta marrin iniciativën

Në librin tim me titull “The Republic of Beliefs: A New Approach to Law and Economics” *Republika e besimeve: një qasje e re ndaj ligjit dhe ekonomisë), doja të demonstroja sesi metodat që kanë dalë nga dialogu i gjatë dhe i frytshëm midis këtyre fushave, munden, me pak ndihmë nga teoria e lojës, të aplikohen te mosmarrëveshjet multilaterale dhe te konfliktet midis shumë juridiksionesh. Për këtë shkak përfshiva një seksion rreth sfidës së krijimit të një kushtetute globale. Kjo është një ide me një histori tepër të gjatë.

Në shekullin e katërmbëdhjetë, për shembull, shtetet-qytete gjysmë autonome të Italisë zhvilluan "doktrinën statutiste" për zgjidhjen e problemeve që u ngritën me tregtinë nëpër juridiksione të shumëfishta ligjore. Ndërsa Stephen Breyer, gjyqtar i Gjykatës Supreme të SHBA-së, sugjeron se, në mungesë të mekanizmave institucionalë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, një rast i ngritur kundër një autoriteti fiorentin nga një vendas i Romës mund të kishte tërhequr të dyja shtetet në luftë. Ose, merreni në konsideratë konfiskimin nga kompania holandeze “India Lindore” të një anije tregtare portugeze, “Santa Catarina”, në ngushticën e Singaporit në vitin 1603. Ky episod shkaktoi pyetje të tilla shumë të mëdha juridiksionale që juristi holandez Huig de Groot (Grotius) u desh të ndërmjetësonte, duke çuar në një nga përpjekjet më të hershme për të kodifikuar ligjin ndërkombëtar. Përkundër kësaj historie të gjatë, përpjekjet për të vendosur të drejtën ndërkombëtare janë përmbushur vetëm me sukses të kufizuar. Krijimi i një sistemi që është i ndjeshëm ndaj mirëqenies së të gjithë individëve - atë që Eric Posner i Universitetit të Çikagos e quan "qasje Welfariste" - shpejt shkon në problemin e sovranitetit të shtetit komb. Si zbatuesi i vetëm i ligjit dhe garantues i të drejtave të qytetarëve brenda juridiksionit të tij, shteti kombëtar ka të drejtën të injorojë ose të anashkalojë ligjet ose të drejtat e njohura nga palët e treta.

Sistemet ekzistuese të emigracionit

Megjithatë, nuk mund të presim që debatet akademike të arrijnë deri te një zgjidhje për çështje të tilla. Bota është e zhytur në mosmarrëveshje që prekin juridiksionet, jo më pak debati i Brexitit të Mbretërisë së Bashkuar. Si do të menaxhohet rrjedha e mallrave dhe njerëzve midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë, dhe midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës? As kryeministrja britanik Theresa May dhe askush tjetër nuk kanë një përgjigje vendimtare. Rezultati i Brexitit mbetet i pasigurt, edhe pse mundësia e daljes së May-it bëhet një përfundim i parregullt. Ndërkohë, në një fushë tjetër, ekziston një rritje në kuptimin se ligjet aktuale antitrust mund të jenë të pamjaftueshme për menaxhimin e çështjeve të ngritura nga ekonomia digjitale. Megjithëse Shtetet e Bashkuara janë shtëpi për 12 nga 20 kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë, ajo nuk ka arritur të frenojë praktikat më të këqija të tyre. Në mungesë të një kuadri ndërkombëtar, qeveritë kombëtare dhe rajonale të tilla si BE-ja kanë filluar të ndjekin një veprim rregullator unilateral, me rrezikun e rritjes së tensioneve me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

Po kështu, nga Deti Mesdhe deri te kufiri SHBA-Meksikë, rrjedha e njerëzve me zakone dhe besime të ndryshme, nga vende me korniza të ndryshme ligjore, po shtrin sistemet ekzistuese të emigracionit tej mase. Disa nga këto dallime mund të jenë komike. Një teknik i kontrollit të dëmtuesve që po e trajtonte shtëpinë time në Delhi të Indisë më siguroi se shtëpia ime do të ishte pa termite, sepse ai po përdorte kimikate të forta dhe shtoi, për siguri të mëtejshme, "ato që janë plotësisht të ndaluara në SHBA".

 Globalizimi dhe lëvizja e njerëzve

Ka edhe konflikte më të rënda të besimeve dhe zakoneve, jo më pak ato që përfshijnë përplasjet e feve. Konflikti sektar i pambaruar në një epokë armësh të sofistikuar dhe luftë kibernetike mund të jetë katastrofik. Ndërsa detajet e së drejtës ndërkombëtare do të vazhdojnë të debatohen pafundësisht, ne mundemi - dhe urgjentisht duhet - të miratojmë një kushtetutë globale këtu dhe tani. Së paku, një kompakt i tillë do të përshkruante rregullat themelore të sjelljes që të gjithë mund të bien dakord për të ndjekur dhe autorizuar zbatimin nga një palë e tretë që në fakt është e autorizuar ta kryejë këtë. Ne shpesh i bëjmë thirrje moralit individual dhe qenies njerëzore themelore kur përpiqemi të zgjidhim konfliktet politike dhe kulturore. Supozimi është se nëse të gjithë do të respektojnë të drejtën e të gjithëve për të praktikuar fenë e tyre, shumë nga problemet tona do të zhduken. Në fakt, konfliktet e tilla shpesh janë të padurueshme, sepse ka disa zakone dhe praktika që janë krejtësisht të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Imagjinoni dy shoqëri. Në njërën, religjioni dominues kërkon nga të gjithë që të vozisin në krahun e majtë; në shoqërinë tjetër të gjithë duhet të vozisin në krahun e djathtë. Nëse këto dy shoqëri do të ekzistonin në ishuj të ndarë, atëherë do të kishte paqe. Por, globalizimi dhe lëvizja e njerëzve midis dy ishujve, bën që të mbillen farat e konfliktit.

Shoqëritë ose mund të përforcojnë këto konflikte me anë të luftës dhe dominimit, apo mund të merren vesh rreth një kodi të përbashkët. Disa palë mund të kenë nevojë që të kompensohen për sakrificat e tyre; apo secila palë mund të bëjë lëshime rreth disa çështjeve në këmbim të kushteve më të favorshme nga pala tjetër. Ky është qëllimi i negocimit dhe kompromisit, për të cilët nuk ka alternativë, përpos konfliktit të gjatë.

Rrallëherë kompromisi është i lehtë, sidomos kur interesat dhe identitetet ‘mbulojnë’ njëra-tjetrën. Por, duke pasur parasysh shkallën e përparimit të tanishëm të globalizimit, nuk mundemi thjesht të rrimë në korsinë tonë dhe të shpresojmë se do të bëhet mirë. SHBA-ja, një lider i vjetër në vënien e normave globale, është duke u tërhequr prapa murit të saj psikologjik. Do të duhet që qytetarët e thjeshtë, anëtarët e shoqërisë civile dhe, me të vërtetë, liderët fetarë, ta njohin nevojën për bashkëpunim global dhe të kërkojnë që politikëbërësit ta marrin iniciativën.

(Kaushik Basu është profesor i ekonomisë në Universitetin “Cornell”)

(Kosova Sot)