Dr. Esat Stavileci, Akademiku me Vdekje të 'Bardhë'!

Dr. Esat Stavileci, Akademiku me Vdekje të 'Bardhë'!

Gani Qarri

  • 24 gusht 2019 - 15:43

Të vdesësh i ndershëm, është më shumë se të jetosh i ndershëm” Dr. Esat Stavileci

Duket e pabesueshme se sa shpejtë që ikën koha. Kaluan mbi katër vite qysh kur profesori, akademiku dhe specialisti ynë  i mirënjohur i të drejtës juridike dhe kushtetuese, Dr. Esat Stavileci shkoi në amshim.

Megjithatë, si në çdo përvjetor kujtimi, vdekja e profesor doktor Esat Stavileci, shfaqi edhe një herë dhimbjen e thellë dhe pikëllimin e pafund të një shoqërie të tërë kombëtare e shtetërore për të. Për njeriun e ndershëm e të çmuar dhe me vlera të lartë kombëtare e arsimore , profesorin shumëvjeçar të universitetit dhe shkencëtarin e devotshëm të së drejtës kushtetuese e shtetërore, të arrirë si ai, të cilët vërtetë Kosova i kishte me “grat” dhe në numër tejet të kufizuar.
 
Me shuarjen e tij, populli, shteti, shkenca dhe arsimi i lartë, humbi një nga intelektualët më të shquar të kohës, shkollës e dijes si dhe njërin nga avokatët më brilant juridiko-statusor që pati vendi ynë.
 
Ai në të gjitha instancat kombëtare e ndërkombëtare, mbrojti me dinjitet, me argumente të pamohueshme dhe në mënyrë bindëse e të pakontestueshme ligjore e kushtetuese, të drejtën për liri të shqiptarëve, shtetin kombëtar dhe Pavarësinë e Kosovës.

 I lindur në Gjakovë, më 11 korrik të vitit 1942, erdhi në jetë si njëri nga 7 fëmijët që pati familja e tij. Qysh i ri ,duke ndjekur këshillat e të atit, ai kohën e lirë, në vend të lodrave dhe argëtimit, do ta kalonte duke punuar, për të nxjerr bukën për vete dhe ndihmuar sadopak familjen.
 
Punën e parë, doktori i ardhshëm do ta fillonte te një pemëshitës përballë ndërtesës ku ai banonte me familje, më tepër duke u vet-ofruar, për ta ndihmuar pronarin, e në varësi të kohëzgjatjes, si shpërblim të merrte nga një apo dy mollë, të cilat, pas kthimit në shtëpi, do ti ndante me motrat dhe vëllezërit e tij.
 
Kurse në punën e dytë, ku tanimë ishte angazhuar edhe për të mësuar “zanatin” çdo fundjavë, profesori dhe shkencëtari i mëvonshëm do të shpërblehej me nga një pako shkrepëse druri, të cilat në shenjë respekti, ia sillte babait dhe familjes së vet, si ndihmesë nga puna që bënte.

I rritur në një familje intelektuale, prindërit e të cilit me gjithë vuajtjet dhe peripecitë e shumta, falë edhe angazhimit të vet fëmijëve me punët që ata për moshën mund të bënin, arritën ti shkollonin të katër vajzat dhe tre djemtë e tyre.

Për profesor Esatin thuhet se urtësinë në sjellje dhe maturinë në qëndrim e shprehje mendimesh të thella, e pati trashëguar nga babai Ismeti, kurse qetësin dhe durimin nga e ëma e devotshme e cila u kujdes për rritën e tij dhe të gjashtë fëmijëve të tjerë.


 
 Shkollimin fillor dhe të mesëm, Dr. Esat Stavileci i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë, kurse studimet pasuniversitare ai i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.
 
I sprovuar në punë dhe angazhim , me të cilat kishte bërë përvojë që nga fëmijëria e hershme, edhe pas rritjes dhe ushtrimit të një profesioni të nderuar, si ai i shkencave juridike, gjatë një interviste, profesori pati thënë me bindje mendjembushëse, se: "Krijuesi i njëmendët, vdes në momentin kur ai pushon së punuari"!

Kështu që puna e pa ndalur dhe përpjekjet e vijueshme,për të nuk ishin pengesë as dobësi por shkathtësi, ndaj derisa, studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare Dr. Esati i vijoi në disa qendra evropiane, më 1974, ai Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës.

Si profesor i lëndës në fjalë, nga viti 1965 deri në vet-pensionim, ai punoi në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit, mbeti i angazhuar në studimet master dhe ato të doktoratës që zhvilloheshin në këtë Universitet
 
E duke pasur parasysh maksimën e lartcekur, ai vet, nuk pushoi asnjëherë së punuari, madje as pas vitit  2010,kur edhe u pensionua nga Universiteti, duke vazhduar me angazhimet e tij të vlershme personale, dhënien e mendimeve të çmuara, trajtimet profesionale dhe përgatitjen e teksteve shkencore për tema të mëdha kombëtare e shtetërore.

Profesor Stavileci, nuk ishte vetëm shkencëtar teorik i profesionit që ushtroi, por edhe shpalosësh  juridik dhe pasqyrues praktik i të drejtës kushtetuese, i cili në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, mbrojti me vendosmëri dhe legjitimitet të pakontestueshëm këto të drejta, për kombin dhe vendin e vet.
 
 Argumentimet e tilla , ai i pasqyron më së miri në studimin shkencor me titull:
 
“Shteti”:
“Shqyrtime të përgjithshme teorike
. me vështrim, rastin e Kosovës”
 
Aty, profesori vë në pah se me gjithë avancimin e pjesshëm të statusit të Kosovës, përmes kushtetutës së vitit 1974, ajo ende nuk ishte juridikisht e barabartë dhe në të njëjtën shkallë statusore me njësit tjera federale të asaj kohe, populli shqiptar vazhdonte të trajtohej si pakicë, kurse gjuha shqipe si gjuhë kombësie, ani-pse, për nga numri, shqiptarët dhe gjuha e tyre, zinin vendin e tretë në ish federatën jugosllave.
 
Sa i takonte pozitës kushtetuese, Kosova atëbotë, sipas profesorit, kishte pozitë të pa sqaruar dhe hibride, ngase  derisa në njërën anë përfaqësohej në federatë, për çudi dhe jashtë çdo logjike juridike, ajo në kushtetutën e Serbisë, ende përshkruhej si pjesë e saj, jo vetëm pa asnjë argument të pranueshëm juridikisht, por edhe për faktin se si akt, mbetet i pa qartë legjitimisht dhe asnjëherë i pa dëshmuar arsyeshëm historikisht.
 
Madje, sipas Doktor Esat Stavilecit, binte poshtë edhe pretendimi serb, se kinse më 1945 në Kuvendin e Prizrenit, ishte votuar për “bashkim” me Serbinë, pasi që ai nuk ishte as votim i lirë dhe as plebishit popullor, por vetëm një tubim i kurdisur me forcë dhe votim i detyruar njëkahësh, për plotësimin e ambicieve  jo legjitime të Serbisë, prej kur Kosova edhe mbeti e aneksuar ilegalisht nga Serbia, e gllabëruar me forcë dhe okupuar pa vullnetin e shqiptarëve të shprehur me dëshirën e tyre.

Kështu që padyshim, njerëzit si profesor doktor Esat Stavileci, për këto dhe fakte tjera kombëtare dhe juridike, mbeten përherë të gjallë në kujtimet tona si dhe jetojnë përgjithmonë me veprat madhore që kanë arritur t`ua lënë trashëgim gjeneratave të ardhshme, vendit dhe popullit të cilit i takonin e më gjerë, për gjallje të tyre.
 
Edhe dr. prof. Astrit Memia, në një dokumentar kushtuar personalitetit të shquar të Dr. Esat Stavilecit, deklaron me shumë respekt, se ai i cili u bë i njohur për mijëra faqe studimesh, botimesh e publikimesh duke mbrojtur me kompetencë të padiskutueshme çështjen kombëtare, të drejtën e shtetësisë për shqiptarët dhe pavarësinë e Kosovës, në tubime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ishte prof.dr. Esat Stavileci. 

Po ky personalitet i shquar, mu në momentet kur shqiptarët tanimë, vërtetë kishin ardhë në atë gjendje vuajtje e dëshpërimi, në të cilën, siç do të shprehej vet Dr. Stavileci; “Shpresa është- pasuria më e madhe e atyre që s`kan më asgjë”, - të drejtën e pavarësisë së Kosovës ai si profesionist kompetent,do ta  mbronte me vendosmëri, fuqishëm dhe me argumente bindëse edhe para gjykatës kushtetuese të ish federatës jugosllave, si dhe në konferenca të ndryshme shkencore e historike, kushtuar kësaj çështje, duke mbuluar ato me fakte të pamohueshme juridike që nga e drejta romake e deri te e drejta kushtetuese bashkëkohore që njeh bota e sotme.
 
Sidoqoftë, përkundër porosive të tij filozofike se “politikan i mirë është vetëm ai që bënë gjumë të rehatshëm” -,aftësive të pakontestueshme, punës afirmative dhe përvojës së gjatë intelektuale, regjimi i degraduar vendor  me politikanët e këqij, që jo udhëhoqën, por sunduan Kosovën nga viti 1999 e deri në shkuarjen në amshim të Dr. Stavilecit, sikur e “mbytën” me qëllim dhe para kohe këtë intelektual të shquar shqiptar, duke e censuruar në media, mosftuar në intervista, dhe penguar në përhapjen e fakteve shkencore për shtetformim të drejtë e të njëmendët juridik.

Politika e mbrapsht dhe mafioze që e kapi çdo pore të jetës në Kosovën e pasluftës, mbyti zërin e profesorit dhe pengoi me çdo mjet shprehjen e mendimit të argumentuar të tij, kundër prapësive sunduese dhe mizorive mafio-oligarkike  me të cilat politikbërësit e shitur e të dështuar vendor, rrjepën pa mëshirë Kosovën dhe varfëruan si mos më keq, popullin shqiptar.
 
Politikbërës të tillë, degraduan vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare, degjeneruan traditën popullore dhe mbytën virtytet më të spikatura kombëtare, në koeketim të ngushtë me vahabistët, duke u dhënë përparësi dhe hapësirë të pakufizuar veprimi, ekstremistëve më antikombëtar turko-arab, që ka njohur deri më tani historia e këtij vendi.

Me lejen e politikanëve vendor, imamët shqipfolës vahabisto-salafistët si Zekerija Qazimi & CO, të shkolluar në vendet ekstremiste arabe, përveç  hapjes së kampit ushtarak dhe mbajtjes ilegale  shumëmujore të stërvitjeve ushtarake të të rinjëve shqiptar në Debellde, bënë  dërgimin e tyre si ushtar të ISIS-it në Siri dhe Irak dhe filluan të imponojnë me cinizëm rregullat turko-arabe të veshjes së njerëzve, paraqitjes së tyre publike dhe vënies në dyshim të kombit dhe origjinës tonë  shekullore shqiptare.

Dërguan dhe bënë mish për top,mbi 370 të rinj në luftëra të huaja si në Siri e Irak, dhe deri më tani, vazhdimisht tentuan edhe mbulimin e përkatësisë sonë kombëtare shqiptare, me atë fetare turko-arabe, deri te imponimi i sjelljes dhe bërja e ligjit, në vendin tonë, nga ata.
 
Për shembull, nuk kishte ditë që nuk i shihje në gazeta, dëgjoje në radio, apo të mos ballafaqoheshe me reklamimin dhe paraqitjet pompoze të tyre në radiotelevizionet publike sidomos në atë të ashtuquajtur TV-publik, si RTK, e veçanërisht kryevahabistët më ekstremist si Shefqet Krasniqi i cili deri vonë e ndoshta edhe sot, ende identifikohet me letërnjoftim serb dhe para disa kohe qe zënë edhe duke futur natën, armatim kontrabandë nga Serbia në Kosovë, aktakuza kundër të cilit u shua dhe nuk u përmend më asnjëherë nga organet e korruptuara të shtetit.

Njëjtë u veprua dhe veprohet edhe me Irfan Salihun etj., predikimet dhe ligjëratat antishqiptare të të cilit, nisnin me shprehjet se toka e Kosovës i takonte Serbisë dhe Turqia i solli shqiptarët në Kosovë e deri te denigrimi më flagrant i mundshëm i familjeve dhe degjenerimi më i ulët e brutal i moralit të femrës shqiptare në përgjithësi, duke i quajtur të gjitha “kurva dhe lavire” që duhet hedhur në “bërllogë”.

Në anën tjetër, përkundër privilegjimit të pa fund të imamëve më antikombëtar, trajtim meritor nuk ju ofrua kurrë dhe asnjëherë në këto 20 vite, vetëm atdhetarëve të njëmendtë e të devotshëm kombëtar si dr. Esat Stavileci, i cili në ditët më të vështira për shqiptarët, mbrojti me burrëri e dinjitet, argumente të pakontestueshme shkencore e juridike dhe vendosmëri të pashoqe atdhetare, çështjen kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe trojet e tyre etnike nën ish ngrehinën shtetërore jugosllave.

E ai duke parë zemërplasur, sesi sundonte mafia politike në Kosovë dhe trojet shqiptare në përgjithësi, me shumë të drejtë, deklaronte; “Tanimë ka marrë fund drejtimi i gishtit nga Evropa për çështjen tonë”!.

Përfundimisht, ne nuk mund as guxojmë ta fajësojmë më askënd për situatën në të cilën ndodhemi, por duhet ta pyesim veten; pse kemi deri më sot:

-Shqipëri të cunguar!
-Kosovë me sovranitet të kufizuar!
-Shqiptarët nën FYROM, me të drejta të privuara! 
-Shqiptarët në Kosovën Lindore kombëtarisht të diskriminuar!
-Shqiptarët nën Mal të zi, kombëtarisht të pakonsoliduar!
-Çamëria pothuajse e harruar! dhe
 -Shqiptarët në Turqi, pa asnjë të drejtë dhe gati tërësisht të asimiluar!?....

Duke mos harruar t`ua përkujtojë politikanëve të tillë, se;

 -“Të vdesësh i ndershëm, është më shumë se të jetosh i ndershëm”!

Sunduesit e pa denjë të trojeve tona, të pa interesuar për çështjen kombëtare dhe të inspiruar vetëm për vjedhje e përvetësim të çdo gjëje shqiptare, tash e njëzet vite me radhë, u pa qartë  se nuk e kishin dhe as nuk e kanë mendjen te ndershmëria ,në jetë as amshim.

Bosët e mafioz që sundojnë me Kosovën, të gjithë klasën e sprovuar intelektuale kombëtare, qëllimisht e “mbytën” për së gjalli dhe kthyen në zë të shuar, për të mos u dëgjuar më mendimi i tyre nga askush.

 Si rrjedhojë e kësaj formule të turpshme sundimi, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo jetojnë shqiptarët, një intelektual sado i zgjuar dhe i zoti që të jetë, ai duhet patjetër të kooketojë me oligarkinë mafioze dhe bëhet pjesë e politikës ditore për të zënë ndokund një vend me rëndësi.

Për fat të mirë, profesor Stavileci nuk ishte i tillë, madje ai politik-bërjen vendore dhe autorët e saj, i shihte si pjesën më të pandershme të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe vendosi që tu rrinte atyre, sa më larg.
 
Shkaqet e gjendjes në të cilën ndodhemi, prof.dr. Esat Stavileci i shihte në tri dobësi të mëdha që përcjellin popullin dhe trojet tona në përgjithësi, si:
 
1.Politikën shqiptare të paunifikuar
2.Diplomacinë kombëtare të pandërtuar
3.Mërgatën shqiptare politikisht të shpartalluar
 
Ndaj, kasta aktuale udhëheqëse, ndjehet ende aq e paprekshme në pozitat e saj sunduese, sa që në vend të intelektualëve kombëtar, për gjithë këto vite, ajo favorizoi vahabizmin dhe marrëzitë safaliste-antikombëtare, duke vënë në rend të parë udhërrëfyesit e kësaj ideje terroriste dhe jo të favorizonte autor dhe intelektualë të sprovuar kombëtar, si dr. Esat Stavileci.
 
Për aq më keq, duke zënë shkas nga qëndrimi i drejtë kombëtar i profesorit, që të gjithë përfaqësuesit e kësaj kaste të dyshimtë politike- pothuajse bashkërisht, zgjodhën ta izolonin atë tërësisht si shkencëtar, ndaj dhe emri i prof.dr. E.Stavilecit, pas shumë vitesh, nga politika përmendej pak më shumë se rëndom , vetëm me rastin e vdekjes së tij.
 
Fatkeqësisht, po kjo kastë e degjeneruar sunduese, e pati sjellë vendin deri aty, sa që edhe në këtë kohë, të ruhen ujërat e Kosovës, nga helmimet, shpërthimet e digave të liqeneve dhe rreziqet tjera terroriste të vahabistëve.

Të gjitha këto fatkeqësi, na përcjellin edhe për faktin se sipas profesorit E. Stavileci, ne edhe si komb ende nuk kemi dëshmuar tri zotësitë primare për shtetmbajtje e shtetndërtim:

1. Të kuptojmë realitetin që na rrethon
2. Peshën dhe forcën e kombit tonë në raport me të tjerët
3.Kush dhe sa sinqerisht, na mbështetë dhe qëndron prapa objektivave tona

Angazhimi i prof.dr. Esat Stavilecit për mbrojtjen e të drejtës së Kosovës për shtet dhe  pavarësi, që nga ditët e para kur filluan “të thyhen arrat” për të, ishte bërë detyra kryesore juridike dhe akti më madhor kombëtar, duke e kthyer atë në mbështetësin e pa kompromis dhe ndihmuesin më të madh praktik, si dhe mbrojtësin profesional e biblik të kësaj çështje historike.

Kështu që, lirisht mund të thuhet, se Kosova dhe shqiptarët ishin me fat, pasi që në momentet më vendimtare, të drejtën e saj  kushtetuese dhe juridike e mbrojtën me këmbëngulje, vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, njerëz të devotshëm të njohur për dijen e tyre të gjerë dhe dimensionin e gjithanshëm shkencor e juridik si  prof. dr. Esat Stavileci.

Falë burrave atdhetar dhe të ditur si ky, Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi, mundi ti kalonte vështirësitë e shumta dhe përballej me të gjitha vërshimet shkatërruese të pushtuesve të shumtë, që kurrë nuk kursyen popullin dhe vendin tonë, duke filluar që nga Turqia, Greqia e Serbia, me të cilat Shqiptarët si komb, ende duhet të druhen fort dhe ballafaqohen guximshëm, në rrugëtimin e tyre për liri, pavarësi, shtetndërtim, gjuhë dhe mbijetesë kombëtare.

Ndaj medoemos duhet dhe kërkohet që ti përkujtojmë me pietet e respekt të pafund dhe falënderojmë fort e përzemërsisht, burrat si dr. Esat Stavilecin dhe të gjithë atdhetarët e njëmendët shqiptar që për shekuj dhe dekada me radhë, dhanë gjithçka ditën dhe mundën, për çlirimin e vendit, krijimin e shtetit dhe pavarësinë tonë kombëtare, njerëz të cilët u kthyen në simbole të mbrojtjes me argumente dhe arsyetimit faktik të  lirisë dhe pavarësisë së këtij populli të shumëvuajtur.

Kështu që dhembja për vdekjen tij, jo vetëm se është shumë e madhe, por bëhet akoma më e rëndë, edhe për faktin se doktorët e vërtetë si dr. Esat Stavileci, me kalimin e kohës, nga vet procesi i natyrës po rrallohen, kurse ata me diploma të pasqaruara, të blera, porositura e marra me njoftësi, përditë e më tepër, si kërpudhat pas shiut, po shtohen.

Madje, brenga te shqiptarët, nëse nuk ndodhin sa më shpejtë freskime kuadrosh me profile të reja e të panjollosura kadrovike dhe ndryshime të domosdoshme politike, për shumë arsye, duhet të rritet edhe më tepër, sepse kombin tonë, kam shumë droje, që me kuadro të tilla si politikbërësit e dështuar aktual, edhe në të ardhmen, vërtetë mund ta presin vuajtje të mëdha, dështime të njëpasnjëshme dhe ditë tejet të vështira.

Kjo edhe për faktin se, përveç rrudhjes drastike të kufijve të Kosovës në të gjitha anët e saj, duke u falë e ndoshta edhe shitur territor të vlershëm shqiptar, FYROM-it, Malit të Zi e tash së fundmi, siç po flitet- edhe Serbisë, kasta aktuale politike ka krijuar edhe një entitet të ri e të pa qenë asnjëherë në veri të vendit, entitet i cili aty nuk ka ekzistuar kurrë në këtë formë juridike dhe shtrirje territoriale, fakt që praktikisht, sjellë kufijtë e Serbisë deri në shtëpitë e para të Drenicës.

Madje, mjafton të paramendohet qoftë edhe vetëm formimi i të ashtuquajturit “asociacion” i komunave serbe” dhe dhënien e kompetencave shtetërore-shtesë, siç kërkojnë ata dhe është pranuar nga politikanët e dështuar të Kosovës, aty nuk do të ketë më asnjëherë paqe as rehati, por vetëm luftë e konflikte të pafund ndërmjet shqiptarëve të pushtuar dhe serbëve okupator, pasi që me fajin e politikanëve sharlatan e të padijshëm, të dyshimtë e padyshim  edhe të shitur, na i sollën ujqërit serb, përsëri në torishtë, për të mos gjetur më qetësi as ndalë zullumin kurrë Kosovës.

Ndaj gjumë të rehatshëm, siç e cekë profesori i ndjerë, për popullin shqiptar do të ketë vetëm atëherë kur në krye të tij, të vijnë udhëheqës të shquar, politikan të njëmendët e intelektual dhe atdhetar të vërtetë e të vendosur, si dr. Esat Stavileci, Gazmend Zajmi, Ismet Gusia e të tjerë, të cilët jo vetëm se për gjallje të tyre, ditën të jenë përherë të ndershëm dhe të tillë të shkojnë në amshim, por edhe vdekjen e patën të bardhë, duke mbetur shembuj të përhershëm shkëlqimi që ndriçojnë përjetshëm si margaritar në trojet tona kombëtare.

(Kosova Sot Online)