Bali Romeo

Bali Romeo
Bali Romeo

Kimete Berisha

  • 19 nëntor 2019 - 18:36

Romeo i Nismës po thotë se 'Nuk ia vlen të jemi pjesë e qeverisë në krye me Albin Kurtin'.

Ky njeri nuk është bash-bash Romeo (se Romeo nuk plaket, nuk trashet, nuk flet hashamet, po Romeon e mbyt dashnia n'lule t'rinisë, n'fillim të tregimit), por për rrethanat tona mund të thuhet se edhe ky është njëfarë pseudo-Romeo.

Tash që i ka zgjidh problemet e zemrës (pa pasur nevojë të vetëflijohet për dashni), ka gjetur më shumë kohë të merret ngapak me politikë, dhe i ka do kërkesa. Romeo po i bën behane Albinit për koalicion.

Romeo nuk e sheh veten, nuk i njeh kapacitetet e veta, ka harru që nuk ishte në gjendje ta menaxhonte një 'tregim dashnie' e lëre më qeverinë Kurti.

Në vend se ta 'mbyste' veten si Romeo (se ti kur t'hysh në punët e dashnisë duhet me qenë paraprakisht i përgatitun për vetëflijim), por me 'maskarallakun' e tij 'erotik' e pati ba kahre krejt Kosovën.

Me AKI, me postë, me krejt rrjetet sociale u patën përfshi në zbulimin dhe kundërzbulimin e mesazheve të tij ultra erotike.

Kollaj me mashtru 'çika t'reja, t'varfëra e të pakrah' qysh i mashtroni përditë, duke u premtuar punë e të ardhme', mashtrojini burrat, mashtroje Albinin n'mujsh.

Dashnia është temë e rëndë për shqiptarët.

Për dashni të rreme, (m'u shtihu kishe na u kall zemra për dashni), jemi të parët.

Bile ne 'i duam' edhe ata që si do kush, sipas Kantit.

Kanti kujtonte se anglezët është më së vështiri ti duash, sepse janë të ftohtë.

Por Kanti nganjëherë ishte plotësisht racist, si në kapitullin e fundit të librit 'Mbi të bukurën dhe të madhërishmen' kur flet mbi karakteret e kombeve.

Bile nuk e kam kuptuar kurrë se pse studentët afrikanë (dhe ata të Orientit), pranojnë ta mësojnë Kantin nëpër universitete evropiane, i cili decidivisht ka thënë se 'afrikanët nuk kanë tru'.

Se dola prej teme...(për me tregu se veç dashnija nuk të lë me bë gabime, kurse mungesa e dashnisë i bën njerëzit të çmendur, si Kantin në këtë rast (kur flet për karakteret e kombeve), por jo edhe kur flet për të bukurën dhe të madhërishmen...).

E çka është dashnia, pra?

Dashni është për shembull ajo e Simone de Beauvoir, që u varros në një varr të përbashkët me partnerin e saj të jetës, Jean Paul Sartre.

Natën që vdiq Sartri, Simone u kërkoi motrave medicinale ta lejojnë të qëndrojë për herë të fundit në një shtrat me Sartrin e vdekur.

Dhe tha: Vdekja e tij nuk na ndan; Vdekja ime nuk na bën bashkë përsëri.

Nejse, ishalla nuk ka mbetur letërsia dhe bota në tregime të dashurisë shqiptare.

P.S. Pra, s'ka vend për ty në qeverinë Kurti, Bali Romeo nga Malisheva.

Sepse 'You Give Love A Bad Name', ia keni qitë zanin e zi dashurisë, kjo është e pafalshme.

Është krimi më i madh që mund të bëhet, kur bën hile në emër të dashurisë.

Dhe ironia është se pikërisht këta tipa sot e shajnë moralin e Vetëvendosjes, kryetari i së cilës kurrë nuk u përmend për një sjellje të keqe dashurore.

Qeveria Kurti mbi të gjitha duhet të jetë e moralshme, familjare dhe evropiane, pa pasur nevojë të jetojë jetë të dyfishtë siç e kanë zanat shqiptarët.

Evropianët ndjehen të lirë, sepse janë të lirë, ata nuk kanë nevojë të mashtrojnë kah të rrotullohen për të mbetur gjallë, si ne që bëjmë.

Dikë tjetër e duan, e me dikë tjetër jetojnë.

Ne jemi aq larg perendimit me mentalitet, sa nuk mund të përshkruhet.

Sepse ndryshe sillemi, ndryshe flasim, ndryshe mendojmë, ndryshe ndjejmë, ndryshe veprojmë dhe krejt ndryshe do të donim të ishte ky muhabet.

(Kosova Sot Online)