Përpjekje strategjike partiake për interesa klanore

Përpjekje strategjike partiake për interesa klanore
Përpjekje strategjike partiake për interesa klanore

Shefik Shkodra

  • 23 January 2020 - 16:47

Këto janë taktikat e partive të politikës së vjetër. Jo zgjidhje për formimin e institucioneve shtetërore, dhe jo ndryshime, por po bëjmë zgjedhje. Inercioni për dikë ishte binari i dashur. Ai çon në cakun e vetëdëshiruar. Pra, LDK dhe VV po luajnë në shah. Po e ndjekin njëra-tjetrën si macja miun. Pra, loja Tomi dhe Gjeri është e kamotshme për këto dy parti. Nuk pulson pa zagushi fryme në fyt. Ky koalicion ka qëlluar i tillë si është atmosfera në marrëdhëniet e tyre.

Megjithatë, me marrëveshjen e tyre do të pajtohen edhe qytetarët. Do të pajtohen edhe një numër i mirë i anëtarëve të LDK-s. Por, si duket, kjo nuk u konvenon një grupi në kryesi të LDK-s. Koha po kalon. Qytetarët po mbeten në pozitë gjithnjë më të keqe. Shteti po degradon. Anarkia po vijon. Korrupsioni po rritet. Largimi i rinisë po rritet. Deformimet gjithkah po vijojnë. Reputacioni i partive po bien. Besimi në to po zvogëlohet, por edhe për të ardhmen.

Të them të drejtën, nuk do të shënoja më asnjë fjalë lidhur me këtë çështje dhe çështje të tilla, sepse nuk ke pse të harxhohesh. S’ke pse dhe kujt t’i drejtohesh. Llafe e llafe jemi mbushur. Ato i merr era. Shkruaj me cilindo stil. Ato s’vlejnë në këtë truall që përzihen njerëzimi vorbull uji, që merr përzhdëredhja retorika si shtrëngatë prej toke në kupë të qiellit. Secili më i ditur se tjetri. Secili më trim se tjetri. Secili më servil se tjetri, sidomos këta disa zotërinj “Analistë”. Madje edhe prognozues pa bazë. Këta orakujt më shumë e dëmtojnë gjendjen te ne se sa që ndihmojnë. Si fantazma.

Nuk mbahet partia me paterica

Dy partitë (LDK, VV) mund të bëjnë koalicion dhe është dashur ta bënin deri më tash. LDK, parti e para dikur në Kosovë, ishte simpatike me emër. Në gjirin e saj ka edhe njerëz mjaft të devotshëm për çështje atdhetare. Është simbol i një politike në mesin tonë. E ka sprovuar veten qe nga vitet e nëntëdhjeta (1990), herë mirë e herë shumë më dobët nëpër perin e tëholluar. Pengesë e madhe e me dilema të mëdha janë tipat që nuk kanë leverdi në koalicion me VV. Si duket u ka dalë boja tashmë. Janë harxhuar. Kanë rrëshqitur shumë hera. Edhe me nepotizëm, korrupsion, etj. Pra, LDK-n e kanë stagnuar dhe e kanë bastarduar tipat që janë në pozita të larta, që kanë përlyer personalitetin e tyre kaherë. Këta janë numër i vogël në kryesi. Janë të shantazhuar e të frikësuar, jo nga të tjerët, por nga veprat e tyre.

Partia më e madhe dikur, nuk mbahet me paterica. Duhet të lirohet nga ata që kanë dëshirë ta uzurpojnë shtetin edhe pas vdekjes. Duam ata që kanë energji për këtë punë. Programi i tyre duhet të zbatohet për atdheun, jo për mallin dhe ruajtjen e pushtetit të grupeve. Shumë fjalë të pakulturuara nga disa anëtarë të kryesisë para e gjatë zgjedhjeve për të tjerët, po edhe tash. Është parë një mllef dhe urrejtje te disa për aleatin e tyre se si bëjnë nënçmime, duke mos e parë veten se, këta tipa janë shumë të lëntë e të lodhtë, përveç korrupsionit dhe nepotizmit.

Duhet provuar

Askush nuk mund të thotë se LVV nesër do të bëjë atë që dëshiron. E para, është kohë e shkurtër

për një mandat. E dyta dhe kryesorja, partitë tjera nuk do ta shprehin vullnetin për ndryshime. Këta të fundit do të struken e do të luftojnë kurdoherë kundër reformimeve, sepse kanë njerëz të zhytur në punët që dalin të papastër. Këta do të jenë kundërshtarët më të devotshëm në prapavijë.

Nuk mund të formojë institucione pa koalicion as sot as nesër asnjëra prej partive. LVV ka ambicie. Kjo është parti e re, nuk ka kurrfarë garancie, por qytetarët kanë dashur ndryshime. Nuk është provuar ende. Ka pasur pengesa nga të tjerët dhe ende ka. Po nuk mund të bëhen arrogantë as hakmarrës në të ardhmen. Ata duhet ta zbatojnë një program që bëhet ndryshimi me ligj. Para ligjit duhet të përgjigjet secili për veprat e veta, ndryshe nuk ka shtet Kosova. Shteti s’bëhet veç për grupe të kufizuara e oligarkë. Shtet klanor. Këtë e themi jo për të cenuar askënd më në fund, por për ta parë se, afati mbaron me të gjitha ato vepra në retrospektivë. Nuk do t’i numërojmë të gjitha skandalet se, vëllime të mëdha librash nuk i zënë krejt çka është bërë për njëzet vite e po thuaj gjithherë mbrapsht, në kurriz të këtij populli, në të gjithë sektorët. Kush ishte në pushtet?!

Analistë apo vërtet banalistë

As partitë në koalicion e as të tjerët nuk bën të kthehen në retrospektivë për marrëveshje, si në kohën parazgjedhore. Vërtet një shprehje jo aq e përshtatshme, por jo për të gjithë. Më intereson, ti si analist (ju disa) që ishe për ndryshime një kohë, ke folur shumë nëpër ato dritaret, se vetëm ju disa, të allishverisheve mund të jeni orakuj nëpër odat të mendimit ‘brilant shqiptarët’, askush tjetër. Do të thotë, kjo tregon qartë se çka veprohet në mes partive dhe organizatave jo qeveritare, individëve (profesorë, shkrimtarë, artistë e ndoshta edhe kriminelë e rrugaçë – disa). Pa u hamendur ndërrojnë mendje sot, prej ditës së djeshme. Si plastelina për lojëra fëmijësh. Prej analistit në parti për ta mbushur “strajcën” më mirë materialisht e me pushtet. A ishe ti, dje, që ke lehur pa ndërprerë se nuk është gjendja e mirë, se duhet bërë ndryshime.

Çka po thua sot? Shumë bizarë janë këta tipa! Flet për popullin kundër popullit! S’i mban mend njeriu të gjitha. S’kanë çka të duhen t’i mbash mend pallavrat e të çmendurve dhe gjysmë të çmendurve. Prej ati që nuk di çka do, nuk duhet të marrësh asgjë e më së paku mendimin e tij. Sa kohë është folur për partitë që ishin deri më tash në pushtet. Sa kohë ka që i keni gjykuar veprimet e mbrapshta të tyre për interesin parcial, për nepotizëm, për bajraktarizëm, për korrupsion, për krim të organizuar, për shkatërrimin e ambientit e të pasurisë shtetërore, për shkatërrimin e arsimit, të shëndetësisë, të drejtësisë, të politikës së jashtme, etj. Tash, të njëjtit janë çuar në maje të gishtërinjve kundër LVV. Unë nuk jam avokati i kësaj partie.

Por, nuk e pranoj kthimin prapa. Ju partitë që ishin në pushtet deri me tash, bashkë me këndesat e juaj, Rrini pra nën Pronto, rrini pra nënë LDK-n e Isa Mustafës! Rrini...! Njëri prej atyre analistëve, si ekspert thotë, po e deshifroj: - Nëse H. Thaçi, vodhi jashtë e brenda, kështu ashtu, Isa Mustafa, diçka ashtu kështu s’e dëgjova më, Albin Kurti dëshiron pushtet autokratik! Shihe ti këtë farë “eksperti”, i cili flet apriori pa u vendos ende gjendja. Ka mjaft të tillë që po flasin në favor të atyre që deri më tash e shkatërruan këtë vend dhe këtë popull. Po pse? Sigurisht, me një gisht mjaltë ua kanë lye buzët. Po plastelina s’ka nevojë të lyhet me asgjë...Janë në vende pune të mira. Po këta dëshirojnë të avancohen, po prej atyre që ishin ngulitur në poste të ndryshme dje. Po prej atyre që shprehnin dozë skepticizmi në mirëvajtje të politikës së vendit. Dhe ftoheshin në ato dritaret popullore dhe jo popullore për të shprehur mendimin e tyre për gjendjen. Shumë ekspresivë ishte mendimi i tyre duke përzier në dilema. Pse po kryqëzoni aq shumë fjalë? Thojeni: nuk e duam LVV-n, sepse padronët na kanë thënë s’bën! S’ka nevojë askush që të hedh fall. Krejt është e qartë. Interesi është kapaku...Qytetarët e ditës së djeshme, sot janë gjallë.

Ka kohë që t’i shohim në pasqyrë edhe ata të LVV

Esenca e problemit: - Nuk i ngatërrojmë gjërat. Jemi shumë gjenerozë, po vetveten e dëshirojmë të paprekshëm, natyrisht me gjithë lidhjet e miqësisë së vjetër! – Duam, thotë, të jemi të barabartë në qeverisje. Duam të na jepet kryetari i Kuvendit, ministritë e barabarta, por edhe të merremi vesh, që të na votoni kandidatin tonë për kryetar republike, pas një viti, etj. Hë! Pozitat strategjike t’i ruajmë për ditë të zeza! LDK, e dinë të gjithë, ka qenë parti e cila kësaj here ka fituar atë numër të votave me emër të Vjosa Osmanit, (të cilën, vetë ata nuk e kanë përfillur si duhet) dhe tash po krenohen përtej asaj që ishte realiteti i tyre. LDK ka arritur në numër dy, pas VV. E dinë qytetarët sa vite ka udhëhequr dhe çfarë ishte puna e tyre, prandaj nuk ka nevojë më që të sillen si të parët.

Prandaj, duhet të shihet puna e atyre që nuk kanë qenë ende në pushtet. Edhe për LVV-n, nesër, nëse nuk shkon si duhet, reagimet do të jenë nga qytetarët. Por, frika është e madhe prej tyre. Kush frikësohet? LDK (grupi i disa uzurpuesve të pushtetit kaherë) njësoj edhe PDK dhe kompania e tyre. Domosdo që droja për përgjegjësi ekziston te të dy kompanitë politike. Prandaj kërkesat janë enorme. Prandaj nuk mund të bëjnë marrëveshje. LDK dëshiron ta forcojë veten me pushtet, për mbrojtje të vetes, të PDK-s dhe të tjerëve. Shihe ti! “Duam ndryshime!” Prej kujt ndryshimet? Thuaj më shkurt, duam veç pushtet! Për të shpëtuar nga akuzat gjyqësore, duke manipuluar drejtësinë dhe instrumentet tjera. Për qytetarët është punë e vogël!...

(Kosova Sot Online)