Pse Tadiqi kërkoi të ishte i pranishëm në varrimin e Ibrahim Rugovës, por JO  edhe në varrimin e Demaçit?

Pse Tadiqi kërkoi të ishte i pranishëm në varrimin e Ibrahim Rugovës, por JO  edhe në varrimin e Demaçit?
  • 26 January 2020 - 08:06

Një politikë që mbron vetëm partinë dhe kryeliderin e vet, e popullin e lë të vritet, të terrorizohet,  të burgoset, të torturohet dhe të dëbohet jashtë vendit, siç ndodhi me mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë në Kosovë (1989-1999),  nuk është kurrfarë politike humane, demokratike dhe paqësore, por vetëm dështuese dhe krejtësisht kapitulluese. Këtu, nuk ka nevojë të hapen libra e as arkiva, sepse vetë ishim dëshmitarë dhe pjesëtarë të një politike të tillë nënshturese fataliste dhe tragjike.

Pra, kur një politikë nuk është në gjendje ta mbrojë popullin dhe, t’ia sjellë lirinë e pavarësinë e tij, ashtu siç ndodhi me politikën rugoviste, gjatë viteve 1989-1999, nuk mund të cilësohet si politikë triumfuese, heroike dhe historike  e Kosovës, sepse doktrina e saj ishte plotësisht e gabuar  dhe jo realiste “prit gomar derisa të dalë  bar”!?

Mirëpo, edhe pse pritëm 10 vjet, duke ndenjur gaditur para shuplakave dhe kërbaçit të policëve dhe të paramilitarëve çetnikë serbë nëpër stacione policore dhe nëpër burgje torturuese, bari nuk doli e as nuk erdhi pranvera e lirisë, e,  as drita e pavarësisë, sepse i thau acari dhjetëvjeçar i dimërave  të robërisë dhe të tiranisë së Serbisë koloniliste dhe shfarosëse.

Kjo politikë e gabuar bëri që jo më pak se 10 vjet, të shtyhet  kryengritja gjithëpopullore, si dhe pengoi që të formohet  “Fronti për Çlirimin e Kosovës”  kundër Serbisë kolonialiste gjenocidale(1989-1999), ku si pasojë, Serbia vrau, masakroi, shkatërroi dhe dogji: “ Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358; zyra të vendit: 71; shtëpi kulture: 30; biblioteka publike dhe shkollore: 93; objekte shëndetësore: 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; kisha katolike: 5; objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101; të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova; 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç;  296 fëmijë deri në 5 vjeç;  1.739 femra;  1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare;  1.450 banorë ende janë të pagjetur;  20.400 femra të dhunuara shqiptare.”(http://telegrafi.com/bilanci-i-krimeve-serbe-ne-kosove/).

Çdo akt dhe veprim politik shqiptar, që e lavdojnë, e mbështetin, e pranojnë dhe e vlerësojnë pozitivisht liderët politikë  serbë ose institucionet zyrtare serbe, duke përfshirë edhe KOS-in, është vetëm në interesin nacional, shtetëror, ekspansionist, gjeopolitik, gjeostrategjik, hegjemonist, militarist dhe kolonial të tyre, JO të kombit shqiptar e as të Shqipërisë etnike.

*** Prandaj, krejtësisht e qartë dhe e kuptueshme pse “Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kishte deklaruar se ka dashur të marrë pjesë në funeralin e Ibrahim Rugovës. Megjithatë, familja e presidentit të ndjerë dhe institucionet e Kosovës e kishin refuzuar kërkesën e tij.” (https://zeri.info/aktuale/321136/cili-president-serb-kishte-kerkuar-te-marre-pjese-ne-varrimin-e-rugoves-dhe-ishte-refuzuar-nga-familja/).

Pra, përgjigjja është tejet e thjeshtë, pse ish-presidenti Boris Tadiq paska dëshiruar, që të merrte pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës (2006), jo edhe në varrimin e  mëpastajmë të heroit Adem Demaçi, më  26 korrik 2018, duke qenë se politika e tij pragmatike jetësore largpamëse në thelb kishte vetëm pavarësimin e Kosovës me çdo kusht (qoftë me paqe, qoftë edhe me forcë, siç ishte lufta heroike e UÇK-së) nga hegjemonizmi dhe nga kolonializmi shekullor serb (1912-1999).

-Tadiqi dhe asnjë lider tjetër serb nuk shprehën dëshirën e as kërkesën e tyre që merrnin pjesë në ceremonin zyrtare të varrimit të heroit Adem Demaçi,  sepse  Adem Demaçi ishte  revolucionar aktiv paqësor, që Kosovës i solli lirinë dhe pavarësinë (17 shkurt 2008),  ashtu sikurse Mahatma Gandhi, “baba i kombit indian”, ku në saje të filozofisë politike dhe pragmatike nacionaliste aktive paqësore të tij kundër regjimit sundues britanik,  India arriti që ta fitojë pavarësinë e saj në vitin 1947.  

Ndërkaq,  politika 10-vjeçare  e pacifizmit pasiv paqësor e Ibrahim Rugovës nuk ishte fare pragmatike në përputhje me rrethanat e kohës, (kur Kosova ndodhej në shtetrrethimin e hekurt të Serbisë gjenocidale), por më tepër nënshtruese  dhe kapitulluese ndaj politikës kolonizuese dhe pushtuese të Serbisë së Slobodan Milosheviqit. Kjo është arsyeja kryesore që politika rugoviste me Rugovën në krye nuk ia arriti që ta pavarësonte Kosovën brenda viteve 1989-1999.

Një kurs i tillë i filozofisë së politikës nënshtruese dhe  pasive paqësore i konvenonte politikës pushtuese, agresive dhe  koloniale të  Serbisë, ndaj eksponentët e kësaj politike serbe e simpatizonin Rugovën si kryelider politik, sepse nuk rrezikonte interesat pushtuese dhe hegjemoniste të Serbisë së Madhe në Kosovë. Si rrjedhim, Rugova për 10 vjet rresht asnjëherë nuk u arrestua, nuk u burgos, nuk u torturua, nuk u gjykua e as nuk u mor në “biseda informative” nga organet policore, të sigurisë dhe të gjykatave policore dhe militare të Serbisë.

Kjo është arsyeja, pse ish-presidenti i Serbisë, Dr.Boris Tadiq paska kërkuar që të merrte pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2006 në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

Rugova nuk ishte as si Demaçi (Mandela i Evropës) e as si Mahatma Gandhi “babai i kombit” të Indisë

Si nënvizuam më sipër, kjo është arsyeja pse ish-presidenti i Serbisë, Dr. Boris Tadiq (2004-2012) kishte kërkuar  që të merrte pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës. Pikërisht kjo kërkesë politike e presidentit Boris Tadiq dëshmon politikën e dështuar të  Kosovës ndaj Serbisë.

Fundja, politika falimentuese e Rugovës nxori në shesh-skenën luftarake, politike dhe diplomatike UÇK-në, e cila   me luftë e mbylli atë politikë pasive  kapitulluese dhe improvizuese “gandiane” (që nuk kishte asnjë element të doktrinës së politikës aktive revolucionare paqësore të Mahatma Gandhit, i cili pas pavarësimit të Indisë, me të drejtë cilësohet si “babai i kombit” të Indisë dhe, njëri nga liderët politikë më të shquar të shekullit XX dhe XXI), e cila për 10 vjet nuk qe në gjendje që te bënte asgjë për pavarësimin e Kosovës.  Pra, gjatë një dekade të plotë (1989-1999) të politikës pasive rugoviste, Kosovën nuk e  mbrojti dhe, nuk e njohu asnjë shtet i Evropës, as i botës. Këtë fakt dhe këtë argument të qëndrueshëm nuk mund ta mohojë asnjë politikë dhe asnjë shkencë në botë. 

Shkurt e shqip, po të mos ishte lufta çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale  e UÇK-së, e mbështetur nga Amerika dhe nga NATO-ja, Kosova ende do të kishte qenë nën sundimin e egër dhe gjenocidal të Serbisë kolonialiste pushtuese. Këtë fakt dhe të vërtetë, duhet mbajtur mend çdo shqiptar, çdo parti, çdo politikë dhe çdo shkencë e historisë së Kosovës së pavarur dhe sovrane (17 shkurt 2008). Me një fjalë, thjesht dhe argumentueshëm, Kosovën e pavarësuan UÇK-ja së bashku me Amerikën dhe me NATO-n, jo politika e gabuar dhe e dështuar e “gandizmit” pasiv rugovist.

Tadiqi kërkoi të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të Rugovës  më 21 janar 2006 në Prishtinë për shkak se politika  pasive paqësore e rugovizimit në asnjë segment nuk e rrezikonte politikën kolonialiste agresive pushtuese të Serbisë në Kosovë (1989-1999).

Ndryshe, presidenti serb Boris Tadiq, ashtu sikurse Slobodan Milosheviqi, edhe Ibrahim Rugovën do ta quante “terrorist”  sikurse heroin legjendar kombëtar Adem Jashari dhe të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, që edhe sot Serbia e presidentit Aleksandar Vuçiq i cilëson dhe penalisht i përndjek si “terroristë” dhe UÇK-në e quan “organizatë terroriste”. Këtë e dëshmojnë edhe akuzat dhe aktpaditë gjyqësore të Serbisë, dërguar Tribunait të Hagës dhe Gjykatës Speciale  për Krime të Luftës së UÇK-së në Kosovë.

Sa më sipër,  ashtu si Mahatma Gandhi  “babai”  i Indisë, edhe  BACA ADEM është Baba i Kosovës së pavarur, sepse të gjithë luftëtarët, dëshmorët , heronjtë e rënë dhe të gjallë, bashkideologët për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës, janë  investim më se gjysmëshekullor të heroit dhe të tribunit gjithëkombëtar shqiptar,  ADEM DEMAÇI, i cili më se gjysmën e jetës së tij e kalaloi nëpër burgje dhe kazamate ndëshkuese famëkeqe të Serbosllavisë (1958-1990).

E vërteta është e hidhur, por në çdo kohë, në çdo rrethanë, dhe kurdoherë, duhet të thuhet, të shkruhet dhe te mbrohet me çdo kusht, pavarësisht nga armiqtë e saj  të egër dhe iracionalë kushdo qofshin dhe, kudo qofshin ata, dhe në shërbim të  kujdo qofshin ata.

-Politika pragmatike realiste peshohet vetëm me rezultate , me fakte dhe me argumente konkrete të parrëzueshme, jo me  gishta dhe me kopalla  e me andralla “hajt, duro se do bëhet mirë”. Mirëpo, vetëm me fjalë dhe me premtime boshe, kurrë nuk bëhet mirë në politikë e as në jetën e përditshme, pa punuar shumë dhe sistematikisht, si dhe pa përdorur edhe forcën për të ndryshuar gjendjen e mjerueshme qoftë ekonomike, sociale a politike etj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"

(Kosova Sot Online)