Mos pranoni modelin e Qipros ose të Gjibraltarit, por vetëm atë të Algjerisë së pavarur të Dë Golit OSE vetëm bashkim me Shqipërinë, Jo me Serbinë kolonialiste

Mos pranoni modelin e Qipros ose të Gjibraltarit, por vetëm atë të Algjerisë së pavarur të Dë Golit  OSE vetëm bashkim me Shqipërinë, Jo me Serbinë kolonialiste
Mos pranoni modelin e Qipros ose të Gjibraltarit, por vetëm atë të Algjerisë së pavarur të Dë Golit  OSE vetëm bashkim me Shqipërinë, Jo me Serbinë kolonialiste

Mehdi Hyseni

  • 02 September 2020 - 09:11

Nëse takimi i palëve negociuese serbo-shqiptare mes Beogradit dhe Prishtinës është vazhdim i Dialogut të Brukselit (2011-2018), logjikisht nënkupton se nuk mund të ketë vetëm karakter të lidhjes së ndonjë apo disa marrëveshjeve ekonomike dhe tregtare mes Serbisë dhe Kosovës, por, para së gjithash, do të jetë me përmbajtje të thellë politike dhe diplomatike për interesat multilaterale të Uashingtonit, të Beogradit dhe të Prishtinës.

Mirëpo, pala shqiptare, duhet të ngulmojë, që debati i këtij takimi, së pari, të orientohet dhe të përqëndrohet në “temat” e pazgjidhura politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky është problemi, JO veriu  i Kosovës e as të drejtat e minoritetit serb në këtë pjesë territoriale të Kosovës.

Duhet të kuptojnë jo vetëm negociuesit e Prishtinës, por edhe të gjithë liderët drejtues të shtetit të brishtë të Kosovës, se për t’u zgjidhur problemet ekonomike e tregtare me Serbinë, apo me ndonjë shtet tjetër fqnijë, së PARI, duhet të ZGJIDHEN PROBLEMET POLITIKE. Ky është kusht themelor për të lidhur marrëveshje dhe traktate ekonomike, tregtare dhe kulturore  për normalizimin  e marrëdhënieve të gjithëmbarshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Pavarësishte se kush e përbën delegacionin negociues të Kosovës me kryeministrin aktual Abdulla Hoti. Ky kryeministër, mund ta luajë rolin historik në takimin negociues serbo-shqiptar në Uashington, duke e njohtuar për herë të PARË Presidentin  e SHBA-së, Donald Tramp, se Kosova 100 vjet ishte koloni e Serbisë (1912-1999). Me shpalimin e kësaj së vërtete të hidhur dhe tragjike historike të Kosovës shqiptare, do të duhej, të hapej takimi i Uashingtonit, më 4 shtator 2020.

1 .Në Uashington, pala shqiptare e Kosovës, fare nuk duhet të kërkojë nga pala negociuese serbe, që Beogradi zyrtar ta njohë Republikën e Kosovës, sepse kjo është çështje vetëm e Serbisë nëse ka vullnet dhe interes mund ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës. Duhet ditur se, sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, askush nuk mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën.

2. Duke qenë se Kosova 100 vjet ishte koloni ilegale e Serbisë, ashtu siç janë edhe sot: Presheva, Bujanoci, Medvegja, Bujanoci dhe Novi Pazari, të gjitha këto territore indigjene të Shqipërisë etnike, PALA NEGOCIUESE e Kosovës, SË PARI, në praninë e Presidentit amerikan, Donald Tramp, duhet ta emërtojë problemin që ka pasur, dhe ende e ka me Serbinë kolonialiste gjenocidale. Ky është problemi i pazgjidhur me Serbinë. Këtë duhet ta dijë edhe presidenti Tramp, edhe qeveria amerikane, në mënyrë që në këtë kontekst, të përqëndrohej dhe të zhvillohej debati mes palëve negociuese, mbase, edhe pas njohjes unilaterale të Kosovës nga ana e Amerikës dhe e më se 100 shteteve të tjera, problemi kolonial i Kosovës, i Preshevës, i Bujanocit, i Medvegjës dhe i Novi Pazarit ka ngelur i padebatuar dhe i pazgjidhur  si nga ana e OKB-së, ashtu edhe nga ana e BE-së. Ky problem serioz në zemër të Evropës ka ngelur i pazgjidhur, për shkak se asnjë qeveri dhe, asnjë nga liderët e deritashëm zyrtarë të Kosovës, ende nuk e kanë emërtuar, nuk e kanë përkufizuar dhe, nuk e kanë shtruar për zgjidhje  as në sfondin kombëtar e  as në atë ndërkombëtar  ( OKB dhe BE).

Nuk ka asnjë dilemë se, ky është gabimi më i madh i politikës dhe i diplomacisë së Kosovës, sepsePROBLEMI KOLONIAL I KOSOVËS  (1912-1999) askund, në asnjë fjalë dhe, në asnjë fjali qoftë të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), qoftë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), në asnjë paragraf, në asnjë nen, në asnjë dispozitë, dhe  as në pjesën e historikut të saj, ku duhej të thuhej  se, Kosova jo më pak se 100 vjet ishte koloni ilegale e Serbisë (1912-1999).

3.Pra, Avdulla Hoti me “korin diplomatik” negociues në takimin e Uashingtonit me palën negociuese serbe të Beogradit, nuk duhet të tregohet apolitik e as “zemërgjerë”, që t’i pranojë asnjë nga kërkesat e saj qoftë ekonomike dhe tregtare, pa shqyrtimin dhe pa zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës me Serbinë. Ky është kushti themelor për lidhjen e marrëveshjeve ekonomike, tregtare, kulturore dhe të bizneseve të tjera, përkatësisht për NORMALIZIMIN e MARRËDHËNIEVE NDËRSHTETËRORE MES SERBISË DHE KOSOVËS.

4.Pra, të mos bëhemi naivë, duke u mashtruar, duke u shërbyer dhe duke u ushqyer me përralla politiko-propagandistike, me gënjeshtra, me intriga, me shpifje dhe me premtime të kota politike e diplomatike, se gjoja paska “ardhur moment historik”, që në Ushington të pajtohemi me Serbinë, duke lidhur marrëveshje e protokolle ekonomike, tregtare, teknike etj., me qëllim që territorin verior të Kosovës, të shpallet “zonë e lirë.  ekonomike ndërkombëtare”.  Nëse ndodh një gjë e tillë,  statusi politiko-juridik dhe administrativ i Veriut të Kosovës, do të mbetet sikurse statusi kontestues kolonial shumëshekullor i pazgjidhur i Gjibraltarit mes Britanisë së Madhe dhe Spanjës, me rrezik që  e tërë Kosova të përfundojë sërish nën kthetrat e sundimit të egër koloniual shekullor të Serbisë.

5.Mos u bëni të verbër, duke besuar se , së pari, me lidhjen e marrëveshjeve ekonomike e tregtare, do të arrihet ndonjë reciprocitet apo normalizim i marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë derisa ajo nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës, as de fakto e as de jure, e as në planin ekonomik e tregtar, nuk do të ketë kurrfarë normalizimi të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Nëse delegacioni i kryeministrit Avdulla Hoti, do të pranonte modelin e  ndonjë “zone të lirë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare”,  atëherë Veriu i Kosovës nuk mund të kthehet më kurrë nën sovranitetin territorial  administrativ dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, por me gjasë, do të mbetet me status kontestues sikurse Gjibraltari i sotëm mes Britanisë së Madhe dhe Spanjës.

6.Për të mos ndodhur kjo tragjedi e Kosovës, kryeministri Avdulla Hoti, do të duhej t’i “tejkalojë” temat ekonomike dhe tregtare me negociuesit e palës serbe në takimin e Uashingtonit, dhe  në vend të tyre, të kërkojë nga Presidenti i nderuar Donald Tramp :

(i) Që Uashingtoni zyrtar ta trajtojë Kosovën si problem kolonial ende të pazgjidhur mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndryshe, vazhdimi i Dialogut të Brukselit nuk ka kurrfarë kuptimi, kurrfarë rëndësie e as kurrfarë interesi as për Kosovën, as për Amerikën, as për BE-në e as për OKB-në derisa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr sanksione politike, ekonomike dhe diplomatike kundër Serbisë kolonialiste, e cila, edhe pas humbjes së luftës kolinaliste dhe gjenocidale në Kosovës (1989-1999) nuk po heq dorë nga politika, nga propaganda dhe nga diplomacia kolonialiste ndaj Kosovës së pavarur dhe sovrane.

(ii) Që Qeveria amerikane të ushtrojë trysni në Kombet e Bashkuara, që ta njohë Repubikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008, të cilën deri tani e kanë njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së) në bazë të së drejtës historike, të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilave kolonializmi ndëshkohet dhe sanksionohet si vepër penale ndërkombëtare dhe anticiviliuzuese. Andaj, në përputhje me këto instrumente të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, Amerika, OKB-ja dhe BE-ja ta detyrojnë Serbinë, që të heqë dorë nga sundimi kolonial i saj në territoret shqiptare në Ballkan (1878-2020)

(iii) Pa e trajtuar dhe pa e zgjidhur këtë problem kolonial mes Serbisë dhe Kosovës,  asnjë marrëveshje qoftë ekonomike a tregtare e përfunduar gjoja si kompromis politik mes palëve negociuese serbo – shqiptare, nuk do të kenë kurrfarë efekti politik e as juridik për normalizimin e marrëdhënieve të këtyre dy shteteve. Ai do të jetë vetëm një iluzion i shkretë, një mashtrim dhe një gabim i pakorrigjueshëm i palës shqiptare të Kosovës, të cilin nuk do të mund ta korrigjojë më as “politika paqësore” e Rugovës, dhe asnjë ushtri e Kosovës. Kjo duhet të kihet parasysh, që, në asnjë formë të mos pranohet ndërkombëtarizimi i Veriut të Kosovës, gjoja në emër të ndonjë “zone të lirë ekonomike nën protektoratin ndërkombëtar”.

(iv)  Nëse  këto kërkesa i refuzon pala negociuese në takimin e Uashingtonit, atëherë, pala negociuese shqiptare e Kosovës, patjetër, duhet t’ia shtrojë presidentit Donalt Tramp:

(v) Kërkesën e ligjshme, sepse Kosovës nuk  i mbetet tjetër alternativë, përpos bashkimit me Shqipërinë si një komb, si një territor dhe si një shtet i përbashkët. Kjo duhet t’i thuhet presidentit Donald Tramp. –Jo të heshtim sikurse deri më sot, duke mos kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare shkolonizimin e Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës, të Iliridës, të Çamërisë dhe të Malsisë shqiptare nën Mal të Zi (1878-2020).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".