Duam paqe, nuk duam luftë!

Duam paqe, nuk duam luftë!
Duam paqe, nuk duam luftë!

Florim Zeqa

  • 01 May 2024 - 15:31

Shkruan: Florim Zeqa

Liderët e një shteti demokratik asnjëherë në fjalorin e tyre nuk e përdorin termin ‘luftë’, por i përdorin paqe dhe fqinjësi të mirë, partneritet dhe bashkëpunim rajonal, i përdorin termat zhvilllim ekonomik dhe mirëqenje qytetare, duke punuar ditë e natë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Deklaratë e një paranojaku politik

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se “Kosova duhet të jetë gati për luftë, pasi ekziston rreziku i një sulm hibrid nga Serbia dhe se gjithmonë mund të fillohet kundër nesh dhe ne duhet të përgatitemi, pasi kjo mund të ndodhë përsëri dhe në çdo kohë”, është deklaratë e një paranojaku politik.

Deklaratat luftënxitëse i shkojnë për shtati vetëm Serbisë dhe aleatëve të saj, e assesi neve që ende nuk jemi konsoliduar si shtet dhe ende jemi duke u përballur me pasojat e luftës së fundit.

Nga paaftësia qeverisëse dhe mungesa e dashurisë ndaj vendit, nga frika e humbjes së pushtetit dhe privilegjeve, paranojakët politikë krijojnë situata konfliktuoze në vend të projekteve zhvillimore për vendin.

Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit me miqtë ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve të hapura me Serbinë në njërën anë dhe prishja e raporteve me shtetin amë-Shqipërinë, i ka vënë në lajthitje pushtetarët paranojak, të cilët kanë filluar të frikësohen edhe nga hija e vet!

Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik

Pa zhvillim ekonomik nuk ka mirëqenje qytetare, ndërsa pa stabilitet politik nuk ka investime kapitale dhe as ecje përpara të shtetit të Kosovës. Përveq këtyre dy elementeve bazike, qytetarëve të vendit ju mungojnë edhe shumë gjëra të tjera themelore, filluar nga siguria për jetë, shëndetësia, arsimi cilësorë, edukata e shëndoshë mediatike e deri tek pabarazia sociale, e cila i ndanë qtytetarët në dy grupe: në grupin e parë të qytetarëve bëjnë pjesë familjarët e pushtetarëve dhe militantët partiakë, servilët dhe puthadorët e çdo pushteti, ndërsa në grupin e dytë bëjnë pjesë shumica e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që nuk janë të lidhur me politikanët, qofshin ata në pushtet apo në opozitë, të cilëve iu është rrezikuar seriozisht e ardhmja në Kosovë! Për asrye se, sado që i përgatitur dhe i ngritur të jesh në aspektin intelektual apo profesional, nëse nuk je i lidhur me të ‘fortët e politikës’, nuk ke mundësi punësimi në profesionin për të cilin je i përgatitur apo aty ku e meriton të kontribuosh, ngase të anashkalojnë në çdo konkurs apo listë aplikuese, më keq sesa në sistemin totalitar të komunizmit, si i ‘papërshtatshëm’, sa më i ngritur dhe i përgatitur të jesh të konsiderojnë armik të shtetit dhe shoqërisë!

Kush po kërkon luftë në Kosovë?

Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk e kanë dëshiruar luftën, por ajo ju erdhi imponim për mbijetesë të trojet e tyre stërgjyshore. Nuk e duan luftën as tani 25 vjet pas luftës çlirimtare, por e duan zhvilliimin ekonomik dhe prosperitetin, drejtësinë dhe barazinë qytetare.

Në kohën kur Kosovës i duhet përmbyllja e kapitullit të luftërave me Serbinë, i duhet anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, dikujt nga shqiptarët i bie ndërmend të kërkojë luftë të re në Kosovë!

Shtrohet pyetja, vallë kujt do t’i konvenonte një luftë eventuale në Kosovë?

Përgjigja është fare e thjesht, assesi shqiptarëve, por vetëm aspiratave pushtuese të armiqve tonë.

Andaj, ju bëjë thirrje të sinqert të gjithë atyre që e marrin guximin të bëjnë thirrje për luftë të re në Kosovë, që të largohen nga pushteti dhe nga politika në tërësi, ta lënë të qetë popullin e lirë se mjaft kemi derdhur gjak, mjaft kemi vuajtur dhe përjetuar dhunë dhe terror në trojet tona etnike.

Ne duam paqe dhe zhvillim ekonomik, duam mirëqenje dhe jetë normale sikurse të gjithë popujt e tjerë të lirë në rruzullin tokësorë. Andaj, më mirë është të ikin nga pushteti dhe skena politike ata që nuk i kanë aftësitë qeverisëse sesa ta marrin në qafë një popullatë të tërë!

Fatkeqësisht në Kosovën e pasluftës, në karrierë politike dhe ‘profesionale’ u ngriten ngelcanat e shkollave të mesme dhe gjysëmanalfabetët me aftësi të jashtëzakonshme serviliteti që ju përshtaten të gjithë pushtetarëve! Ky është realiteti, kjo është e vërteta e hidhur e shoqërisë sonë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".