Kosova bëri veprim kundër interesave të veta, shuarja skandaloze e Institutit për Krime të Luftës ishte në favor të Serbisë

Kosova bëri veprim kundër interesave të veta, shuarja skandaloze e Institutit për Krime të Luftës ishte në favor të Serbisë
Kosova bëri veprim kundër interesave të veta, shuarja skandaloze e Institutit për Krime të Luftës ishte në favor të Serbisë

Rexhep Shahu

  • 11 December 2020 - 07:54

Shkruan: Rexhep Shahu

Nëse Instituti i hulumtimit të krimeve serbe do krijonte dosje, qeveria e Kosovës duhet të bënte padi penale për krime kundër njerëzimit. Ka krime që nuk harrohen e kurdo duhen ndëshkuar që historia e dhunës e krimeve serbe të mos përsëritet.

-Një nga vendimet skandaloze me pasoja të rënda dhe që i shërben më së pari Serbisë duke fshehë krimet serbe, dhe e dënon me injorancë Kosovën, është vendimi i pa falshëm dhe skandaloz i ish Qeverisë së kaluar të PAN-it për shuarjen e Institutit për krime të luftës, i cili ishte themeluar për të mbledhë dhe dokumentuar krimet serbe në Kosovë, dhe përgatitjen e tyre për padi në Gjykatat vendore e ndërkombëtare. Ky është një vendim që më së shumti i shërben Serbisë.

Pas një boshllëku dyvjeçar në mungesë të këtij instituti, Qeveria Hoti përsëri merr vendim për ri themelimin e tij, dhe për këtë ka ngritur një grup pune i cili është duke punuar në këtë drejtim. Në dy vjet mungesë të këtij Instituti i kemi bere dy vjet ndihmë harrimit e zhdukjes së gjurmëve të krimeve serbe në Kosovë. Ka humbur shumë Kosova për dy vite në mungesë të një institucioni të tillë të faktimit dhe dokumentimit të krimeve serbe të cilat do të mundë të përdoreshin tani edhe në procesin e vazhdimit të dialogut, për të ja nxjerre palës serbe në tavolinë dhe sjellë faktorin ndërkombëtar para aktit të kryer. Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011, por me vendim të Qeverisë së Kosovës, drejtuar nga Ramush Haradinaj, i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018, me arsyetimin se nuk ka treguar rezultate të mjaftueshme.

Deri më tani funksionon vetëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në Divizionin për Drejtësi Tranzicionale. Instituti ishte krijuar nga Qeveria, dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, me iniciativën që atëherë e kishte marrë Hajredin Kuçi, që në atë kohë udhëhiqte në Ministrinë e Drejtësisë. Ringritja e këtij Instituti nga qeveria Hoti është e domosdoshme. Kosova e pavarur duhet të dokumentojë krimet serbe dhe ti çojë autorët para drejtësisë. Drejtësia ne Kosove të bëjë punën e saj, pavarësisht se çfarë bën Haga apo gjykata speciale. Mos dokumentimi e mos gjykimi i krimeve serbe në Kosovë apo në Shqipëri është një dobësi shqiptare dhe uroj të mos jetë e urdhëruar nga Beogradi.

Qeveria në Kosovë e në Tiranë nuk bënë kurrë dosje dhe akuza në gjykata të niveleve të ndryshme kundër Serbisë për krimet e saj ndër shqiptarë. Krimeve serbe në Kosovë u shtojmë edhe krimet serbe në Shqipërinë e veriut, në Kukës, Has, Tropojë ku u minuan me duar nga ushtarët serbe 1400 hektarë territor, u vranë nga minat serbe në brendësi të territorit të Shqipërisë 53 njerëz, mbeten invalidë të përjetshëm pa duar, këmbë, sy, 274 njerëz, u vranë mijëra bagëti e shkatërruan qindra shtëpi. Këto krime duhej ti padisë qeveria e Tiranes, por kurrë nuk i paditi këto krime serbe, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama puthet me presidentin e Serbisë Vuçiq. Edhe Kosova nuk bëri kurrë padi për krimet serbe në Kosovë. Vërtetë që Kosova nuk ka fituar shumë, më shumë se sa ka humbur, por duhej paditur Serbia që të mos mbante kryet përpjetë e të mos bënte ajo presione Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".