Ndizet beteja e ashpër elektorale, partitë politike vërsulen që ta mbledhin kokërr për kokërr votën e diasporës për të ardhur në pushtet

Ndizet beteja e ashpër elektorale, partitë politike  vërsulen që ta mbledhin kokërr për kokërr votën e diasporës për të ardhur në pushtet
Ndizet beteja e ashpër elektorale, partitë politike  vërsulen që ta mbledhin kokërr për kokërr votën e diasporës për të ardhur në pushtet

Faik Krasniqi

  • 02 January 2021 - 16:11

Shkruan: Faik Krasniqi

Sikur të kishim pasur parti politike që mendojnë për Mërgatën, do të kishin bërë plane konkrete ekonomike se në cilat fusha ata të investojnë. Në dy dekadat e fundit bizneset e shqiptarëve në perëndim janë rritur shumë në krahasim me vitet 80-90. Këtë duhet ta shfrytëzoj Kosova. Vetëm me investimet që do t‘i bënin biznesmenët tanë të Mërgatës, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të mbetej i papunë. Me ato investime do të kishim një zhvillim të hovshëm ekonomik. Kjo është ajo çfarë duhet të bëjnë partitë politike, dhe jo premtime me përralla me mbret. Për këtë ka nevojë Kosova dhe Mërgata, sepse jemi në krizë të thellë ekonomike, dhe jo të shfrytëzohet vetëm për vota. Pra me plane konkrete dhe jo me gënjeshtra elektorale!

-Mërgata jonë ka qenë dhe është kontribuese e madhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në vitet "90“ ka qenë katalizator për mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe mbi të gjitha çlirimin e Kosovës, edhe me para edhe me njerëz. Pa Mërgatën Kosova do ta kishte të pamundur të mbijetonte gjatë okupimit serb të viteve 89-99. Edhe sot paratë e Mërgatës janë infuzion për ekonominë dhe qetësinë sociale në Kosovë. Prej fillimit të pandemisë kanë dërguar rreth 1 miliard euro remitanca. Për festat e fund vitit këtë vit kanë ardhur dhe po vijnë me mijëra.

Prandaj nuk është e ndershme prej asnjë partie që Mërgatën ta shfrytëzojnë për fushatë elektorale. Të lozet me ndjenjat e tyre. E aq më pak të fyhen siç po ndodhë me disa pseudo gazetar. Nuk bënë të premtohet diçka që nuk e mbajnë. Ata shqiptar që jetojnë në Perëndim dhe kanë të drejtë vote në Kosovë, janë të lirë të votojnë për cilëndo parti që ata duan. Pavarësisht deklaratave të partive politike, ne të gjithë e dimë se për cilën parti do të votojnë më së shumti. Mërgata jonë nuk ka nevojë për vende të rezervuara, por kanë nevojë për shërbime efikase në vendet ku jetojnë përmes ambasadave dhe konsullatave.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".