Duhet të miratohet e të veprojë Ligji i VETTING-ut në drejtësinë kosovare!

Duhet të miratohet e të veprojë Ligji i VETTING-ut në drejtësinë kosovare!
Duhet të miratohet e të veprojë Ligji i VETTING-ut në drejtësinë kosovare!

Muhamet Kelmendi

  • 09 January 2021 - 09:13

Shkruan: Muhamet Kelmendi

Në Kushtetutë duhet të hiqen normat jo kushtetuese dhe të kemi intervenim juridik për të sqaruar normat kushtetuese. Këtu duhet domosdo të largohen normat që janë anti demokratike, sikundër janë normat për minoritetet dhe votat e tyre. Natyrisht se Kosova vuan nga mungesa e Kodit zgjedhor. Pa një Kod të qartë dhe me lista të hapura, me një votë, nuk ka demokraci. Pra, punë ka shumë dhe a do të zgjidhen të gjitha këto çështje pas zgjedhjeve, mbetet një dëshirë.

-Gjykata Kushtetuese është e vendosur dhe ka për detyrë të bëjë interpretimin e normave kushtetuese dhe të vendosi në instancën e fundit. Gjatë kësaj pune shumë të rëndë dhe jashtëzakonisht domethënëse për shtetin, është detyrë e saj të jetë e paanshme dhe të mbështetet vetëm në Kushtetutë. Natyrisht se Kosovës në formë urgjente i duhen ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor. Kjo për faktin se sqarohen më mirë çështjet juridike dhe vendimet atëherë janë më të qarta. Megjithatë edhe tash ka norma shumë të qarta. Nuk ka dhe nuk duhet kurrë të interpretohen normat që janë të qarta.

Po kështu duhet të jetë e qartë për gjykatën se asnjë ligj e nën kushtetues nuk ka fuqi juridike para normave kushtetuese. Kur ka kolizion të normave hynë në fuqi dhe vlen kryesisht norma kushtetuese. Kështu është rasti me nenin 70 të Kushtetutës së Republikës kundruall çdo normë tjetër ligjore. Në këtë nen, në paragrafin 3, pika 6 qëndron qartë e sanksionuar çështja e mandatit të deputetit. Aty thuhet: "Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet deputeti me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim" . Në parag.4 qëndron: "Vendet e fituara të deputetëve në Kuvend, plotësohen menjëherë, në pajtim me Kushtetutë dhe me ligjin".

Në Kushtetutë thuhet qartë sanksionimi. Çdo interpretim tjetër jashtë këtij sanksionimi është antikushtetues dhe i kushtëzuar nga interesat tjera. Se si dhe pse Gjykata mu në këto dy raste të qarta kushtetuese vendos ndryshe nuk kemi të dhëna. Por, duhet thënë se veprimi juridiko-kushtetues është kur kemi dënim të formës së prerë me një e më shumë vjet. Këtu përfundon mandati dhe zëvendësohet deputeti nga lista e njëjtë në vazhdim. Pse vendim tjetër? Gjykata Kushtetuese nuk vendos për të bërë zëvendësimin e deputetit. Ajo e anulon zgjedhjen e qeverisë, me të drejte, por urdhrin zgjedhjet, në vend që të kërkoj plotësimin e mandatit dhe zgjedhjet e reja në Kuvend.

Këtej shkon më thellë dhe e futë dënimin me kusht në ndalesë juridike të kandidatëve për deputet. Në Kushtetutë, sikundër shihet, nuk bëhet fjalë fare për dënim me kusht. Aty bëhet fjalë për dënim me burgim. Këtu del papërgjegjësia e gjyqtarëve. Dhe, kjo papërgjegjësi, vërehet në çdo gjykatë dhe në tërë prokuroritë e vendit. Shkeljet vazhdojnë. Masat juridike nuk caktohen dhe vazhdon puna jo profesionale. Kjo duhet ndalur. Në Kosovë ka nevojë të vepron Ligji për VETTING. Me këtë ka mundësi të shërohen organet e drejtësisë. Por, pa bërë ndryshime tjera juridike, nuk ka mundësi të ndërtohet një sistem juridik ligjor.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".