Qeveria Kurti 2, kjo është formula e funksionimit stabil në interesin strategjik e politik ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës

Qeveria Kurti 2, kjo është formula e funksionimit stabil në interesin strategjik e politik ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës

Gani Qarri

  • 18 February 2021 - 07:42

Shkruan: Gani Qarri

Nuk do të ishte fer dhe as e pranueshme që një parti e vetme ti ketë tri postet kryesore të shtetit si atë të kryeministrit, kryetarin e Parlamentit dhe presidentin, madje minoritet mund të vendosin edhe kushte të pa pranueshme për dhënien e votës së tyre për president të vendit. Kështu që, do të ishte më e shëndetshme, në radhë të parë, për vet shtetin e Kosovës dhe popullin e saj, por edhe për VV-në, që ajo të bashkëveprojë me AAK-në, dhe me votat e përbashkëta të cilat do të përbënin numrin e nevojshëm të 1/3-s, së deputetëve, të zgjedhin në pozitën e të parit të vendit Ramush Haradinajn, ndërsa Vjosa të rizgjidhej serish kryetare e parlamentit. Kjo formë e kombinimit të udhëheqjes së shtetit, është e domosdoshme për vendin, sidomos në gjendjen aktuale, kur Qeveria e re, menjëherë pas formimit, duhet ti rifillojë bisedimet me Serbinë.

-Isa Mustafa dhe beniamini i tij Avdullah Hoti nuk kanë mundur asnjëherë ta arsyetojnë ndryshe qëllimin e ardhjes në krye të Qeverisë kundër kushtetuese të vendit, si parti e dytë në zgjedhjet e kaluara, përveç për plotësimit të tekeve të kuislingut Hashim Thaçi për rrëzimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nga qeverisja, për shkak të frikës së vet, nga ndëshkimi për krimet në të kaluarën e tij kriminale.

Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë, për mënyrën se si erdhi në krye të LDK-së dhe suksesin që ai pati në shkatërrimin e kësaj partie, partisë më të madhe të Kosovës të krijuar dhe udhëhequr për shumë vite me plot sukses nga i madhi Dr. Ibrahim Rugova.

Ajo që dëshpëroi pafundësisht votuesin besnik të LDK-së, është fakti se zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, dëshmuan se Isa Mustafa si politikani me përvojën më të gjatë në skenën aktuale të Kosovës, me mend në kokë, bashkë me Avdullah Hotin, jo vetëm se u pajtuan me kërkesën e Thaçit për ngritjen e një Qeverie kundër kushtetuese, por ata pranuan të shërbehen edhe me vota të kundërligjshme të deputetëve të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për hajni e korrupsion, siç ishte ajo e deputetit minoritar të hashkalinjëve Etem Arifit, në kulm të pandemisë me virus Covid-19.

Kështu që pas rënies rapide në nivelin më të ulët të mundshëm dhe shuarjes pothuajse të tërësishme të LDK-në Gjakovë, humbja drastike e kësaj partie në këto zgjedhje edhe në bastionet kryesore të LDK-së, në të gjitha qytetet e Kosovës, po dëshmon katërçipërisht se përveç kalimit të Vjosa Osmanit në VV edhe një pjesë e madhe e elektoratit të LDK-s, ka kaluar në VV, nga dëshpërimi me Isa Mustafën dhe Avdullah Hotin, i cili nuk mori vota të mjaftueshme as në Rahovec, prej nga ai vjen edhe vet.

Ndaj kësaj radhe jo vetëm që përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte më e madhe, por edhe votimi për ndryshim, do duhej të ketë qenë vendimtar bashkë me votën e diasporës, që është po aq e frustruar me qeverisjet kriminale dhe politikën mafioze të duos Thaçi-Mustafa sa edhe vet rinia e Kosovës. E për pasojë, sipas rezultatit preliminar dhe atyre të ekspozuara nga EXIT-POLLET, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore historike dhe ngritjen më bindëse prej se mbahen zgjedhje të lira të pas luftës në Kosovë. Madje Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar shumë më tepër se gjysmën e votës shqiptare në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 2021-së dhe siç tregojnë Rezultatet e EXIT POLL-it, ajo ka arritur mese 53% të votave.

E dyta, por shume larg prej saj mbetet Partia Demokratike e Kosovës me rreth 18% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bie në vendin e tretë me vetëm rreth 13.4 %. të votave, gjë që është senzacion më negativ i saj, në dy dekadat e fundit elektorale. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila qe futur nën një kulm me LDK-në e Isa Mustafës dhe Listën serbe të Goran Rakiqit , duket se nuk do të marrë më tepër se rreth 7-8% të votave, ndërsa Nisma, sipas të gjitha rezultateve po dëshmohet se definitivisht nuk do ta kalojë as pragun zgjedhor dhe mbetet me vetëm pak më shumë se rreth 2%. të votave.

Pas publikimit të rezultateve preliminare, që në rastet e deritanishme nuk përbënte shumë dallim nga ato përfundimtarët, LVV me përqindjen e fituar në votime, mund ta formojë e vetme Qeverinë e re, ndërsa pak a shumë problem mbetet vetëm zgjedhja e presidentit të vendit e cila duhet të marr kahe më së largu deri më 5 prill, në mënyrë që të mos shkohet përsëri në zgjedhje të reja. Sa u takon vet zgjedhjeve vendimi i VV-së për ta "para-propozuar" Vjosa Osmanin për presidente ishte i qëlluar, sepse siç u pa edhe në rezultat, ajo këtë e kapitalizoi me vota për VV-në, gjë që VV, mund ti kishte humbur ato, po qese do të vepronte ndryshe.

Por kur vije puna te zgjedhja reale e presidentit të shtetit, megjithëse me këtë rezultat qoftë edhe preliminar, VV- supozohet se mund ti grumbullojë votat e nevojshme nga pakicat edhe për president të vendit, nëse mendon ta emërojë Vjosa Osmanin në këtë pozitë, unë nuk e shohë si vendim të arsyeshëm as të duhur në momentet aktuale, para të cilave ndodhet Kosova.

Në këtë rast nëse vije deri te një marrëveshje e tillë, ndërmjet këtyre dy subjekteve, AAK do duhej që të mos insistoj për futjen e saj, në koalicion qeverisës me VV-në, por të kërkojë vetëm postin e presidentit. E një konstalacion i tillë i udhëheqjes së shtetit, VV me kryeministër në Qeveri, Vjosa kryetare e Kuvendit dhe AAK me President, do të ishte më e fuqishme për veprimet politike të VV-së si dhe të shtetit të Kosovës. Kosova do të ishte më e sigurt sidomos në përballje me Serbinë, jo vetëm në bisedime, por dhe më e fortë dhe e vendosur në kundërpërgjigje ndaj provokimeve të njëpasnjëshme që mund dhe pritet të ndodhin, në vazhdimësi kundër Kosovës nga Serbia, sa më shumë që negociatave me këtë shtet ish okupues të Kosovës, tu afrohet fundi, gjë që (me gjithë respektin për Vjosën) ajo nuk do të mund t`ia ofronte dhe garantonte VV-së, as shtetit të brishtë të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".